SHBA, i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme largohet nga detyra

Amerika

SHBA, i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme largohet nga detyra

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 23:18
Jason Greenblatt

Jason Greenblatt, i dërguari më i lartë i Presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet mes Izraelit dhe Palestinezëve, tha të enjten se ai së shpejti do të largohet nga Shtëpia e Bardhë edhe pse nuk është caktuar asnjë datë për publikimin e një plani amerikan të paqes për rajonin.

Zoti Greenblatt, një ish-avokat i biznesit të zotit Trump, iu bashkua dhëndrit të Presidentit Trump, Jared Kushner, një këshilltar i Shtëpisë së

Bardhë, në përpjekjet për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes mes shtetit hebraik dhe palestinezëve.

Administrata e Presidentit Trump propozoi një plan investimi ekonomik prej 50 miliardë dollarësh për të ndihmuar palestinezët, duke e zbuluar atë në një konferencë në Bahrein në qershor. Por palestinezët bojkotuan konferencën, duke e kritikuar ashpër atë për shkak të mospërfshirjes së ndarjes së territoreve në rajon, përfshirë territoret e okupuara nga Izraeli ku jetojnë palestinezët. Shtëpia e Bardhë nuk i ftoi izraelitët të merrnin pjesë.

Largimi i zotit Greenblatt gjatë javëve të ardhshme hedh dyshime të reja mbi fatin e çdo plani amerikan të paqes ose negociatave të drejtpërdrejta mes izraelitëve dhe palestinezëve. Greenblatt ka thënë se plani i paqes nuk do të publikohet të paktën deri pas zgjedhjeve të 17 Shtatorit në Izrael, kur Kryeministri Benjamin Netanyahu, një aleat i fortë i Presidentit Trump, do të përpiqet të zgjasë mandatin e tij.

Në njoftimin për largimin e tij, zoti Greenblatt e quajti punën në Shtëpinë e Bardhë për dy vite e gjysmë si "nderin më të madh të jetës".

"Jam tepër mirënjohës që kam qenë pjesë e një ekipi që hartoi një vizion për paqen," tha Greenblatt. "Ky vizion ka potencialin për të përmirësuar shumë jetën e miliona izraelitëve, palestinezëve dhe njerëzve të tjerë në rajon."

Nga ana tjetër, Presidenti Trump vlerësoi zotin Greenblatt në Twitter.

"Pas gati 3 vitesh në administratën time, Jason Greenblatt do të largohet për të vazhduar punën në sektorin privat. Jason ka qenë një mik i shkëlqyeshëm, besnik dhe avokat fantastik. Përkushtimi i tij për Izraelin dhe për të kërkuar paqe mes Izraelit dhe Palestinezëve nuk do të harrohet. Ai do të na mungojë. Faleminderit Jason!", thuhej në postimin e Presidentit Trump në Twitter./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat