Rasti i informatorit sekret, sot në Kongres - Bota Sot
Rasti i informatorit sekret, sot në Kongres

Amerika

Rasti i informatorit sekret, sot në Kongres

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 16:49
Kongres

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të zhvillojë të enjten një seancë me dyer të mbyllura me Inspektorin e Përgjithshëm të Komunitetit të Zbulimit Michael Atkinson. Ligjvënësit shpresojnë të mësojnë më shumë detaje rreth një ankese të një informatori të fshehtë që është bërë shkak për një betejë ligjore mes ligjvënësve dhe administratës Trump.

Dëshmia e zotit Atkinson vjen pasi gazeta Washington Post njoftoi se ankesa përfshin komunikime mes Presidentit Donald Trump dhe një udhëheqësi të huaj dhe se bëhet fjalë për një "premtim".

Sipas gazetës, shkrimi i saj bazohet tek të dhënat e ofruara nga dy ish-zyrtarë amerikanë që kanë dijeni mbi çështjen, por që nuk është e qartë se për cilin udhëheqës të huaj bëhet fjalë ose se çfarë mund t’i ketë premtuar atij presidenti amerikan.

Ligjvënësi Adam Schiff, i cili kryeson komisionin e Zbulimit tha se zoti Atkinson ka dalë në përfundimin se ankesa e informatorit të fshehtë ishte "e besueshme dhe urgjente", që do të thotë se sipas ligjit kjo gjë duhet t'i raportohet Kongresit.

"Komisioni i jep rëndësi të madhe mbrojtjes së informatorëve dhe ankesave që ata bëjnë në Kongres", thuhej në një deklaratë të zotit Schiff.

Drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar Joseph Maguire nuk ka pranuar deri më tani t’u japë ligjvënësve detaje rreth ankesës.

Një avokat i zyrës së zotit Maguire tha se pretendimet e bëra në ankesë nuk plotësojnë standardin e një "shqetësimi urgjent", siç është shprehur ai. Zoti Schiff tha se zoti Maguire do të dalë përpara komisionit për një dëshmi publike mbi këtë çështje më 26 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...