Ankesa e informatorit nxit betejë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit

Amerika

Ankesa e informatorit nxit betejë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 15:34
Shtëpia e Bardhë. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e quajti “lajm të rremë” njoftimin se ai i ka dhënë një “premtim” një udhëheqësi të huaj, për të cilin një zyrtar i inteligjencës kishte ngritur ankesë pranë autoriteteve.

“Një histori tjetër e lajmit të rremë - nuk po mbarojnë kurrë! Praktikisht në çdo kohë që flas në telefon me një udhëheqës të huaj, e kuptoj se mund të ketë shumë njerëz që dëgjojnë nga agjenci të ndryshme amerikane, për të mos përmendur ato nga vetë vendi tjetër. Nuk ka problem”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Ende nuk dihet detaje për të cilat ka ngritur pretendime zyrtari i inteligjencës.

The Washington Post raportoi se zyrtari i inteligjencës e vlerësoi bisedën mes Trumpit dhe udhëheqësit të huaj “aq shqetësuese” sa menjëherë shkoi të inspektori i përgjithshëm i departamentit.

Demokratët janë duke u përpjekur që ankesa e informatorit t’i dërgohet Kongresit.

Inspektori i Përgjithshëm i Komunitetit të Inteligjencës, Michael Atkinson, i tha Kongresit se ankesa e informatorit ka në përmbajtje një "problem serioz ose flagrant, abuzim ose shkelje e ligjit" që përfshin informacionin e klasifikuar.

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Joseph Maguire, deri më tani ka refuzuar të ndajë detaje të ankesës me ligjvënësit duke thënë se ajo nuk plotësonte përkufizimin e një "shqetësimi urgjent" që do të kërkonte shqyrtimin në Kongres.

Ende nuk dihet se kush e bëri ankesën e bisedës telefonike të presidentit Trump me një lider të huaj dhe nëse zoti Trump ndërmori ndonjë veprim si rezultat i kësaj bisede.

Sidoqoftë, The Washington Post dhe New York Times raportuan se një pjesë e ankesës ka lidhje me Ukrainën, duke cituar zyrtarë me njohuri për këtë çështje.

Ankesa u paraqit në 12 gusht, dhe zoti Trump kishte biseduar me telefon me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dy javë e gjysmë para kësaj, raporton BBC.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, ka hetuar nëse zoti Trump dhe avokati i tij Rudy Giuliani u përpoqën të bëjnë presion ndaj Qeverisë ukrainase për të hetuar ish-zëvendës presidentin Joe Biden, dhe djalin e tij Hunter Biden, i cili më parë ka shërbyer në bordin e një kompanie të gazit në Ukrainë.

Joe Biden aktualisht është duke bërë fushatë për të fituar nominimin demokrat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Por, nga protokolli i Shtëpisë së Bardhë del se Presidenti Trump ka folur me të paktën pesë udhëheqës të huaj gjatë kësaj kohe. Ata janë: presidenti rus Vladimir Putin, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, kryeministri pakistanez Imran Khan, kryeministri i Holandës Mark Rutte dhe Emiri i Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani.

Kryesuesi i Komitetit për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff, e vlerësoi veprimin e informatorit dhe gjithashtu akuzoi Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Drejtësisë se ndërhynë për të bllokuar ndarjen e ankesës së informatorit me Kongresin.

"Unë besoj se ka një përpjekje për të parandaluar që këto informata të vijnë në Kongres", tha Schiff.

Presidenti Trump shumë shpesh e ka akuzuar komunitetin e inteligjencës amerikane si pjesë e një opozite “të shtetit brenda shtetit”. Duke kundërshtuar pretendimet e fundit ndaj tij, Trump tha se ai do të bëjë vetëm atë që është e drejtë dhe e mirë për SHBA-në./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat