I emëruari i Trumpit zotohet për pavarësinë e mediave qeveritare amerikane - Bota Sot
I emëruari i Trumpit zotohet për pavarësinë e mediave qeveritare amerikane

Amerika

I emëruari i Trumpit zotohet për pavarësinë e mediave qeveritare amerikane

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 22:25
Michael Pack

Michael Pack, një producent konservator filmash i propozuar për të drejtuar Agjensinë e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), dëshmoi të enjten në një seancë konfirmimi në Senat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, njofton se i emëruari iu përgjigj shqetësimeve se Presidenti Donald Trump mund të imponojë anshmëri politike tek agjensitë qeveritare të lajmeve, siç është Zëri i Amerikës, për të cilin legjislacioni amerikan përcakton se duhet të jetë objektiv dhe i balancuar në raportimet e tij.

Të enjten, Michael Pack i tha Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, se ai do të sigurojë pavarësinë mediatike në Agjensinë e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), agjensia që mbikqyr edhe Zërin e Amerikës, nëse do të konfirmohet në detyrë si i pari Drejtor Ekzekutiv i kësaj organizate i caktuar nga administrata Trump.

“E gjithë agjensia mbështet tek besimi se gazetarët janë të pavarur, se asnjë influencë politike nuk po u dikton se si të njoftojnë për zhvillimet dhe se çfarë duhet të thonë. Pa këtë mirëbesim, mendoj se agjensia është tërësisht e minuar”, u tha senatorëve i propozuari i Presidentit Trump në detyrën e drejtorit të USAGM, zoti Michael Pack.

Zoti Pack ka prodhuar dokumentarë, ka drejtuar Institutin Claremont, një organizatë konservatore me seli në Kaliforni, si dhe ka denoncuar njëanshmërinë liberale të perceptuar në industrinë e filmave.

Me një buxhet vjetor prej 628 milionë dollarësh, USAGM mbikqyr të gjitha organizatat ndërkombëtare të lajmeve të financuara nga qeveria, të cilat transmetojnë në 100 vende dhe kanë një audiencë prej rreth 345 milionë njerëzish.

Këtu përfshihet edhe Zëri i Amerikës që transmeton në mbi 40 gjuhë në mbarë botën, TV dhe Radio Marti që transmeton në Kubë, rrjetet në gjuhën arabe Alhurra TV dhe radio Sawa, si dhe Radio Evropa e Lirë, Radio Liria dhe Radio Azia e Lirë.

Karta e Zërit të Amerikës, e miratuar me ligj në vitin 1976, si dhe Ligji për Transmetimet Ndërkombëtare, përcaktojnë se të gjitha transmetimet qeveritare duhet t’u përmbahen standarteve strikte mediatike, për të cilat mbështetësit e shtypit të lirë thonë se janë thelbësore për të qenë një burim i besueshëm lajmesh për audiencat ndërkombëtare.

“Nuk është fjala për një media shtetërore që tregon vetëm njërën anë të çështjes, siç ndodh shpesh me mediat shtetërore në vende të tjera”, i tha Zërit të Amerikës, Al Tompkins, i Institutit Pointer.

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë mbështesin misionin mediatik të këtyre agjensive, thotë një ish-drejtues i Zërit të Amerikës.

“Ligjvënësit kanë mbështetur gjithnjë transmetimet e Zërit të Amerikës dhe agjensitë e tjera, pasi i njohin vlerat e të paturit një burim lajmesh tek i cili mund të mbështeten njerëzit dhe audiencat në botë”, thotë David Jackson, ish-drejtor i Zërit të Amerikës.

Disa prej kritikëve të Presidentit Trump kanë ngritur shqetësimin se ai mund të përpiqet t’i kthejë këto agjensi në makineri të njëanshme propagandistike për politikat e administratës së tij.

Kreu demokrat në këtë komision, Senatori Bob Menendez, ngriti pikëpyetje rreth marrëdhënies së zotit Pack me Steve Bannon, ish-strategu kryesor në Shtëpinë e Bardhë për Presidentin Trump, njëkohësisht edhe ish-drejtues i Breitbart News, një organ vendas që perceptohet gjerësisht si nxitës i nacionalizmit dhe kauzave konservatore.

Ata kanë punuar së bashku për dokumentarë ku shqyrtohet çështje si lufta në Irak, apo energjia bërthamore.

Senatori Menendez e pyeti zotin Pack se si do t’i mbrojë ai gazetarët e agjensisë nga presioni politik. Pyetjes së Senatorit nëse ai do të ishte në gjendje të thoshte “jo”, zoti Pack iu përgjigj se “kështu mendoj. Kam thënë ‘jo’ edhe më parë”.

Edhe nëse do të qartësohen shqetësimet gazetareske, emërimi i zotit Pack mund të vonohet më tej prej kontrollit të imtësishëm të historikut të tij, si dhe nga radha e gjatë e emërimeve të prapambetura në Senat që presin të konfirmohen me votim nga senatorët./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...