Trump kundërshton deklaratat e presidentit të Iranit

Amerika

Trump kundërshton deklaratat e presidentit të Iranit

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 21:39
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ka kundërshtuar një kërkesë të Teheranit për të hequr sanksionet në këmbim të bisedimeve.

"Irani donte që unë të hiqja sanksionet e vendosura në këmbim të bisedimeve. Unë thashë, sigurisht, jo!", shkroi Trump në rrjetin social Twitter.

Deklarata e presidentit amerikan kundërshton komentet e presidentit iranian, Hassan Rohani, i cili u citua të thoshte se Shtetet e Bashkuara ofruan të heqin të gjitha sanksionet ndaj Iranit në këmbim të bisedimeve.

Rohani, tha se gjatë qëndrimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka takuar zyrtarë amerikanë me insistimin e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.

Irani është i gatshëm për negociata, por jo në një atmosferë sanksionesh dhe presionesh, tha presidenti iranian.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përkeqësuar qëkur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin vitin e kaluar, dhe sërish vendosi sanksione mbi ekonominë iraniane, për shkak të programit bërthamor dhe balistik të këtij vendi.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që përfshin gjithashtu Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën si nënshkruese, kishte për qëllim të frenonte programin bërthamor të Iranit ndërsa hiqte sanksionet ndaj këtij vendi.

Trump dëshiron ta detyrojë Iranin të rinegociojë marrëveshjen bërthamore, duke argumentuar se kushtet nuk ishin aq të vështira për të parandaluar Teheranin që të zhvillojë armë bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat