SHBA, sanksione të reja kundër subjekteve ruse

Amerika

SHBA, sanksione të reja kundër subjekteve ruse

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 06:11
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin

Uashingtoni u vuri sanksione disa subjekteve dhe personave të lidhur me Agjencinë ruse të Kërkimit në Internet dhe financierin e saj, Yevgeny Prigozhin. Sanksionet lidhen me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

“Departamenti i Thesarit po shton trysninë ndaj personit Yevgeny Prigozhin, jo vetëm duke vënë dukje mbështetjen e tij për Agjencinë e Kërkimit në Internet lidhur me përpjekjet e agjencisë për të ndërhyrë në zgjedhjet afatmesme amerikane të 2018s, por edhe duke identifikuar pronën e tij personale, duke përfshirë disa avionë privatë dhe një jaht," tha Departamenti i Thesarit në një deklaratë të hënën.

Agjencia e Kërkimit në Internet, me qendër në Shën Peterburg, e njohur si "ferma ruse e manipuluesve të klikimeve" është në pronësi të biznesmenit Prigozhin të lidhur me Kremlin. Ajo u përmend gjithashtu në mënyrë të përsëritur nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller gjatë hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016s.

Në shkurt 2018, Departamenti amerikan i Drejtësisë paditi Agjencinë e Kërkimit në Internet dhe dy kompani të tjera të kontrolluara nga Prigozhin - Concord Management dhe Concord Catering - si dhe vetë pronarin Prigozhin dhe 15 individë të tjerë rusë për mashtrim të dyshuar "me qëllimin e ndërhyrjes në proceset politike dhe zgjedhore në SHBA, përfshirë zgjedhjet presidenciale të vitit 2016."

Prigozhin, i cili nganjëherë quhet "kuzhinier i Putinit" për shkak të biznesit të tij të hotelerisë, kontrollon edhe firmën private të sigurisë Vagner, e cila ka dërguar mercenarë rusë për të luftuar në Ukrainë, Siri dhe në disa vende afrikane.

Në vitin 2016, Uashingtoni vendosi sanksione personale ndaj Prigozhin në lidhje me mbështetjen e tij për aneksimin nga Moska në vitin 2014 të rajonit ukrainas të Krimesë. Në qershor 2017, sanksione u vendosën edhe mbi firmën Concord Management për përfshirjen e saj të dyshuar në luftën e mbështetur nga Rusia në disa pjesë të Ukrainës lindore.

Deklarata e Departamentit të Thesarit e datës 30 shtator, thekson se aktivitetet e Prigozhin dhe Agjencisë së Kërkimit në Internet nuk e rrezikuan legjitimitetin e zgjedhjeve të vitit 2018.

Sanksionet e reja përfshijnë tre persona juridikë të regjistruar në Seychelles dhe gjashtë shtetas rusë që besohet të kenë lidhje me Agjencinë e Kërkimit në Internet.

Deklarata e Departamentit të Thesarit identifikoi tre avionë privatë dhe një jaht si të regjistruar në subjektet e lidhura me Prigozhin. Deklarata paralajmëron se kompanitë që ofrojnë shërbime për ta mund të jenë objekt sanksionesh.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha në një deklaratë se "Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gurthemeli i demokracisë amerikane, dhe ne do t'i përdorim autoritetet tona kundër kujtdo që kërkon të minojë proceset tona dhe të ndikojë mbi votuesit me mënyra subversioni".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat