Trump përshëndet vendimin e OBT

Amerika

Trump përshëndet vendimin e OBT

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 19:26
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi të enjten një fitore të rëndësishme vendimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, falë të cilit SHBA-ja gëzon tashmë të drejtën t’u vendosë tarifa mallrave të Bashkimit Evropian si kundërpërgjigje ndaj subvencionit të paligjshëm të linjës ajrore Airbus.

"SHBA-ja arriti një fitore prej 7.5 miliardë dollarësh nga OBT-ja kundër Bashkimit Evropian që për shumë vite e ka trajtuar vendin tonë shumë keq në tregti për shkak të tarifave, barrierave tregtate dhe shumë çështje të tjera", shkruante zoti Trump në Twitter.

Vendimi i njoftuar të mërkurën i jep Shteteve të Bashkuara të drejtën t’u vendosë tarifave mallrave të BE-së në vlerën e 7.5 miliardë dollarëve, duke filluar nga 18 tetori.

"Për vite me radhë, Evropa ka siguruar subvencione masive për Airbus-in duke dëmtuar rëndë industrinë amerikane të hapësirës ajrore dhe punonjësit tanë" tha përfaqësuesi amerikan për Tregtinë Robert Lighthizer.

"Më në fund, pas 15 vitesh procesesh gjyqësore, OBT-ja ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë t’u kundërpërgjigjen subvencioneve të paligjshme të BE-së", tha ai.

Por sipas gjetjeve të OBT-së edhe Shtetet e Bashkuara kanë siguruar subvencione të paligjshme për prodhuesin e kompanisë Boeing me bazë në SHBA. Vendimi i BE-së mbi tarifat që mund t’i vendosë mallrave amerikane, pritet të merret vitin e ardhshëm.

Vendimi i së mërkurës është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet. BE-ja lëshoi një deklaratë ku thuhej se “nëse Uashingtoni merr vendim të imponojë tarifat e autorizuara nga OBT-ja, nuk do t’i japë Brukselit asnjë zgjidhje tjetër përveçse të bëjë të njëjtën gjë".

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të vendosin një tarifë prej 10 për qind ndaj avionëve tregtarë të prodhuar në Evropë dhe një tarifë prej 25 për qind ndaj një game të gjerë mallrash evropiane, përfshirë uiskin skocez dhe atë irlandez, veshjet, mjete të ndryshme e ushqimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat