Trump mohon motivet politike për hetimet në Ukrainë

Amerika

Trump mohon motivet politike për hetimet në Ukrainë

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 15:55
Donald Trump

Presidenti Donald Trump tha se korrupsioni dhe jo politika, ishte motivi pas kërkesës së tij drejtuar qeverive të huaja për të hetuar rivalin e tij politik, ish nënpresidentin Joe Biden. Por mesazhet me tekst sugjerojnë se diplomatët amerikanë po inkurajonin presidentin e Ukrainës që të hetonte zotin Biden në këmbim të një takimi që udhëheqësi i Ukrainës po kërkonte të zhvillonte me Presidentin Trump. Steve Redisch i Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi.

Michael Atkinson është njeriu të cilit i është besuar hetimi i ankesës së informatorit si dhe për ta sjell çështjen në vëmendjen e zyrtarëve. Të premten ai u mor në pyetje në mënyrë private nga pjestarë të Kongresit, të cilët po kryejnë hetime për shkarkimin e Presidentit Trump.

Sipas informatorit, Presidenti Trump përdori një telefonatë urimi për presidentin e sapozgjedhur të Ukrainës, për të kërkuar hetimin e ish zëvendëspresidentit Jo Biden dhe djalit të tij Hunter. Ky i fundit ishte pjestar i bordit drejtues të një kompanie energjitike në Ukrainë. Ende nuk janë gjetur prova që Biden veproi në mënyrë të paligjshme apo joetike.

Mesazhet me tekst të sapopublikura mes diplomatëve duket se mbështesin pretendimet e informatorit. Diplomati i karrierës Kurt Volker i dërgoi mesazh me tekst një ndihmësi të presidentit ukrainas ditën e telefonatës mes zotit Trump dhe zotit Zelenskiy.

Në tekst thuhet se, “kishte dëgjuar nga Shtëpia e Bardhë, duke supozuar se Presidenti Z e bind zotin Trump se ai do të hetojë ‘të shkoj në fund të asaj që ndodhi në vitin 2016’ ne do të përcaktojmë datën e një vizite në Uashington”.

“Kina duhet të fillojë një hetim për Biden”, u shpreh Presidenti Trump.

Një ditë pas thirrjes së hapur që Kina të hetojë kundërshtarin e tij politik, Presidenti Trump hodhi poshtë të premten se në telefonatën me presidentin e Ukrainës ishte kërkuar shkëmbim favoresh.

“Nuk më intereson fushata e zotit Biden. Më intereson korrupsioni. Fushata dhe politika varet nga ai. Nuk kam interes për çështjet politike.”

Zoti Trump e pranoi se demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë votat e mjaftueshme për të hapur procesin, por të pamjaftueshme në Senat për shkarkimin e tij. Thomas Schwartz me Universitetin Vanderbilt thotë se largimi i tij kërkon një përqindje të lartë ligjvënësish.

“Do të jetë e jashtëzakonshme, sepse nuk fliltet vetëm për shumicën e Senatit që të votojë për ta dënuar atë. Shumica e Senatit votoi për ta dënuar Presidentin Clinton, por nuk arritën të kenë dy të treatat. Pra, dy të treat në të vërtetë është një përqindje e lartë që kërkohet në Senat për ta dënuar atë.”

Mitt Romney është senatori i vetëm republikan që e kritikoi hapur zotin Trump. Ai shkroi në Twitter se thirrja e Presidentit ndaj Kinës dhe Ukrainës për të hetuar zotin Biden ishte e gabuar dhe e tmerrshme dhe se tendos besueshmërinë për të sugjeruar se ka motive të tjera përveçse asaj politike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat