Presidenti Trump sfidon hetimet; çfarë hapësire ofron Kushtetuta?

Amerika

Presidenti Trump sfidon hetimet; çfarë hapësire ofron Kushtetuta?

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 22:12
Donald Trump

Presidenti Donald Trump dhe demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve janë mbërthyer në një betejë kushtetuese lidhur me procesin për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Shtëpia e Bardhë ka bllokuar zyrtarë të ekzekutivit të dëshmojnë dhe nuk ka ofruar dokumentet e kërkuara nga demokratët për hetimet që mund të çojnë në hapjen e procesit për shkarkimin e presidentit. Në qendër të hetimeve janë bisedat dhe kërkesat e presidentit ndaj homologut ukrainas. Përplasja mes ekzekutivit dhe legjislativit ka zgjuar pyetje mbi pushtetin e presidentit, balancën e autoriteteve mes degëve të ndryshme të qeverisjes dhe statusin e demokracisë amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone ka përgatitur materialin.

Presidenti Trump është hedhur në betejë, për t’iu kundërvënë hetimeve të udhëhequra nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilat mund të çojnë në hapjen e procesit për shkarkimin e tij.

“Njerëzit e kuptojnë se është mashtrim. Po përpiqen të fitojnë zgjedhjet e 2020 duke përdorur këtë proces. Fituam në atë mashtrimin tjetër me hetimet e Muellerit. U bë gjithë ajo zhurmë për dy vjet e gjysmë. Për pak ditë ramë në qetësi por krejt papritur filluan këtë tjetrën,” tha presidenti.

Ky ballafaqim u ashpërsua ditët e fundit kur Shtëpia e Bardhë i dërgoi Kongresit një letër, ku e cilëson procesin hetimor si një gjueti shtrigash me qëllime partiake dhe deklaron se nuk do të bashkëpunojë.

Demokratë, si ligjvënësi Adam Schiff, janë të vendosur të vazhdojnë hetimet:

“Nëse nuk lejojnë dëshmitarin të vijë t’u përgjigjet pyetjeve dhe nuk dorëzojnë dokumentet, do ta konsiderojmë si një tjetër provë e fortë se po pengohen funksionet që Kushtetuta i jep Kongresit si degë e barasvlefshme e pushtetit,” tha zoti Schiff.

Përkrahësit e zotit Trump, si ligjvënësi republikan Matt Gaetz, janë gati të hidhen në betejë për të mbrojtur presidentin.

“Ky proces është farsë. Kryetari i Komisionit të Shërbimeve të Zbulimit Adam Schiff po vepron si drejtues keqdashës në këtë farsë,” tha zoti Gaetz.

Në bazë të Kushtetutës, Kongresi ka autoritetin t’i kërkojë llogari presidentit përmes procesit që mund të çojë në shkarkimin e tij, thotë eksperti ligjor Paul Schiff Berman:

“Çdo abuzim autoriteti, apo abuzim me pushtetin që i jep posti mund të konsiderohet si shkelje që çon në këtë proces. Kushtetuta nuk flet specifikisht për këtë temë, prandaj varet si interpretohet dhe çfarë dinamikash politike hyjnë në lojë”.

Vendimi i presidentit për të mos bashkëpunuar me Kongresin të kujton qëndrimin që mbajti Presidenti Nixon gjatë skandalit Watergate në 1974.

Gjykata e Lartë ndërhyri duke e detyruar Presidentin Nixon të dorëzonte regjistrime që e implikonin atë në akte të paligjshme, gjë që çoi në dorëheqjen e presidentit, thotë historiania Barbara Ann Perry:

“Presidentët gjithmonë bëjnë rezistencë. Gjykata ose Kongresi përgjigjen me presion me autoritetin që kanë dhe zakonisht presidenti humbet”.

Por, rezultati i procesit hetimor mbetet i paparashikueshëm dhe ndoshta fjala e fundit do t’u takojë votuesve, të cilët do të japin vendimin përfundimtar në nëntor 2020 në zgjedhjet presidenciale, thotë analisti Berman:

“Gjykatat mund t’i kërkojnë llogari presidentit për çështje politike në përgjithësi. Por për një temë si kjo që kemi tani, kur kemi të bëjmë me shkelje personale, Kushtetuta ka lënë si zgjidhje ose procesin për shkarkimin e mundshëm të presidentit, ose vendimin e amerikanëve në ditën e votimeve”.

Ndërkohë që mbetet pak më shumë se një vit deri në ditën e votimeve, amerikanët dhe Kongresi përgatiten për procesin e katërt për shkarkimin e mundshëm të një presidenti në historinë e Shteteve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat