Britania mbron marrëveshjen për Brexit pas kritikave të Trumpit - Bota Sot
Britania mbron marrëveshjen për Brexit pas kritikave të Trumpit

Amerika

Britania mbron marrëveshjen për Brexit pas kritikave të Trumpit

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 15:30
Britani

Qeveria britanike ka mbrojtur marrëveshjen për Brexit, apo për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian, pas kritikave të bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara “nuk mund të nënshkruajnë marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar”, pas marrëveshjes për Brexit, që ka arritur kryeministri britanik, Boris Johnson me bllokun evropian.

Në muajin gusht, Trump pati premtuar “një marrëveshje të madhe” tregtare me Britaninë.

Mirpëo kur ka folur me mbështetësin Nigel Farage në LBC, Trump ka kritikuar marrëveshjen që ka arritur Johnson me BE-në.

“Ne duam të bëjmë marrëveshje me Britaninë ashtu sikurse dëshirojnë ata. Të jem i sinqertë me ju, kjo marrëveshje, sipas disa pikave përcakton që nuk mundeni, nuk mund të bëni tregti. Ne nuk mund të bëjmë marrëveshje tregtare me Britaninë sepse mendoj se mund të fitojmë më shumë sesa tash, dhe shumë më shumë se Britania është duke fituar në Bashkimin Evropian”, është shprehur Trump.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë hollësi rreth vështirësive që sheh në arritjen e marrëveshjes SHBA - Britani.

Mirëpo një zëdhënës i Johnsonit ka thënë se marrëveshja nënkupton se Britania “mund të arrijë marrëveshje për tregti të lirë në gjithë botën, me secilin vend që mund të përfitojë” ky shtet.

Komente të ngjashme të bëra nga Trump kanë shtyrë laburistët që të akuzojnë presidentin amerikan se po tenton “të ndërhyjë në zgjedhje”.

Duke folur për mediumin LBC, presidenti amerikan ka thënë se Corbyn do të ishte “shumë i keq” në pozitën e kryeministrit, derisa sipas tij Johnson është “njeri i duhur për këtë kohë”.

Corbyn në anën tjetër e ka akuzuar Trumpin për “tentim të ndërhyrjes” në zgjedhjet e përgjithshme të Britanisë me qëllim të fuqizimit të “shokut të tij Boris Johnson”.

Mbretëria e Bashkuar do të zhvillojë zgjedhjet më 12 dhjetor, pas shtyrjes së tretë të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian deri më 31 janar të vitit 2020.

Johnson shpreson se do të fitojë shumicën e ulëseve, në mënyrë që të miratojë në parlament marrëveshjen e arritur me BE-në, ndërkohë që Corbyn ka premtuar se do të organizojë referendum të ri, nëse fiton pozitën e kryeministrit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë në ditën e shpalljes së zgjedhjeve se publiku duhet “të zgjedhë” për të ardhmen e Brexitit por edhe të gjithë shtetit.

Lideri i laburistëve në Britani, Jeremy Corbyn është zotuar për të “transformuar” Britaninë teksa ka nisur fushatën zgjedhore.

Corbyn ka premtuar se do të “rindërtojë” shërbimin publik dhe do të shënjestrojë “menaxherët e këqij dhe ndotësit e mëdhenj”.

Në një fjalim të mbajtur të enjten, ai i ka konsideruar zgjedhjet e 12 dhjetorit si mundësi “të gjeneratës për të transformuar shtetin tonë”.

Corbyn po ashtu ka thënë se laburistët do të lansojnë “fushatën më të madhe në histori”.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​/REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat