Vazhdojnë dëshmitë publike në procesin hetimor ndaj Trumpit

Amerika

Vazhdojnë dëshmitë publike në procesin hetimor ndaj Trumpit

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 20:26
Alexander Vindman dhe Jennifer Williams

Në Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë vazhduar dëshmitë, në kuadër të hetimit ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Koloneli, Alexander Vindman, një oficer i ushtrisë amerikane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, gjatë dëshmisë u shpreh se ai beson, se një telefonatë e 25 korrikut midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të Ukrainës ishte "e parregullt".

Ai tha se i raportoi dyshimet e tij në zinxhirin komandues, pasi e ndjeu se ajo "do të dëmtonte sigurinë kombëtare".

Vindman, eksperti më i lartë për Ukrainën i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se "është e parregullt për presidentin e Shteteve të Bashkuara, që të kërkojë nga një qeveri të huaj, të hetojë një qytetar amerikan dhe kundërshtar politik ".

Vindman dëshmoi në javën e dytë të seancave dëgjimore publike, në kuadër të hetimit ndaj presidentit Trump.

Dëshminë e saj e paraqiti edhe Jennifer Williams, këshilltare e nënpresidentit të SHBA-së, Mike Pence. Ajo iu tha ligjvënësve se thirrja e 25 korrikut "përfshinte diskutimin e asaj që u duk si një çështje politikës së brendshme ".

Hetimet ndaj presidentit Trump, në kuadër të procesit të nisur për shkarkimin e tij nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve nisën kur një informator i paidentifikuar dërgoi një ankesë, përmes së cilës thoshte se presidenti amerikan gjatë një telefonate me presidentin e Ukrainës Volodymir Zelenskey, në muajin korrik, i ka kërkuar atij që Ukraina të hetoj rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden, për shkak të lidhjeve me një kompani në Ukrainë.

Joe Biden ka qenë nënpresident i SHBA-së, dhe tani po kandidon për të fituar nominimin e demokratëve, për të garuar përballë republikanit, Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Republikanët e kanë hedhur poshtë procesin e hetimit, duke thënë se presidenti nuk bëri asgjë të denjë për fajësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat