Trump dëshiron gjykim nga ana e Senatit

Amerika

Trump dëshiron gjykim nga ana e Senatit

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 11:54
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dëshiron që gjykimi për shkarkimin e tij të procedohet në Senatin e SHBA-së, për shkak se aty do të kishte një proces të duhur, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

“Trump pret që kandidati demokrat për president, Joe Biden të jetë në mesin e dëshmitarëve”, tha zëdhënësi, Hogan Gidley.

"Ne presim që përfundimisht të dëgjojmë nga dëshmitarët që potencialisht kanë qenë të përfshirë në korrupsion siç janë: Adam Schiff, Joe Biden, Hunter Biden dhe i ashtuquajturi “informatori”, tha Gidley.

Roli i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në gjykim

Aktualisht Komiteti për Inteligjencë i Dhomës së Përfaqësuesve është duke zhvilluar seanca publike me dëshmitarë në kuadër të procesit të nisur për shkarkimin e presidentit, Donald Trump.

Video: Seanca e parë publike në hetimet për Trumpin

Në rast se Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, e voton fajësinë e Trumpit, atëherë në bazë të Kushtetutës, çështja i kalon Senatit, ku shumicën e kanë republikanët.

Senati zhvillon seancë gjyqësore dhe merr vendimin përfundimtarë nëse presidenti amerikan duhet shkarkuar nga detyra.

Pse nisën hetimet?

Hetimet ndaj presidentit, Donald Trump, nisën pasi një informator i paidentifikuar dërgoi një ankesë në lidhje me një telefonatë të zhvilluar në muajin korrik ndërmjet presidentit Trump dhe homologut të tij Ukrainas, Volodymir Zelenskyit.

Sipas këtij informatori, Trump gjatë telefonatës, i kërkoi Zeleneskiyt që të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin, Joe Biden, dhe djalin e tij, Hunter Biden.

Joe Biden po synon nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Përveç kërkesës për hetim, sipas ankesës së informatorit, Trump kishte kushtëzuar edhe një ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Demokratët reaguan menjëherë duke thënë se kjo përbën shkelje, pasi presidenti ka kërkuar ndihmën e një vend të huaj në mënyrë që të fitoj zgjedhjet në SHBA.

I gjithë “presioni” ndaj Ukrainës thuhet se është bërë përmes Rudy Giuliani, avokat personal I presidentit Donald Trump.

Çfarë deklaruan dëshmitarët para ligjvënësve?

Në Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve tashmë kanë paraqitur dëshminë një numër i zyrtarëve të lartë amerikanë, të cilët kanë pasur njohuri, apo kanë qenë të angazhuar në raportet e SHBA-së me Ukrainën.

Dëshmia më e rëndësishme është vlerësuar të jetë ajo e Gordon Sondland, ambasador amerikan në Bashkimin Evropian.

Expose: Trump në ujëra të trazuara

Sondland ka thënë se ka ndjekur “urdhrat e presidentit” ku është marrë me Ukrainën dhe se ka punuar me avokatin personal të Trumpit, Rudy Giuliani, “për të thyer bllokadën” dhe për të siguruar përsëri ndihmën në vlerë të qindra miliona dollarëve për Kievin.

“Giuliani ka kërkuar që Ukraina të bëjë një deklaratë publike për nisje të hetimeve. Ai ka folur për teoritë diskredituese rreth përpjekjeve ukrainase dhe jo atyre ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, si dhe për një kompani të gazit në Ukrainë që është e lidhur me djalin e Bidenit”, tha Sondland.

Por, në dëshminë e 21 nëntorit para Komitetit për Inteligjencë, ish-zyrtarja e lartë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Fiona Hill tha se Trump shpërfilli këshilltarët e vjetër dhe nxorri një teori të rreme se Ukraina ishte përzier në zgjedhjet e vitit 2016.

Fiona Hill tha se presidenti kishte dëgjuar pikëpamjet e avokatit të tij personal, Rudy Giuliani.

Zonja Hill i quajti pretendimet për Ukrainën një "narracion imagjinar"./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat