Kongresi fton Trump-in që të marrë pjesë në seancën e hetimeve kundër tij

Amerika

Kongresi fton Trump-in që të marrë pjesë në seancën e hetimeve kundër tij

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 09:35
Donald Trump

Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka ftuar presidentin Donald Trump që të marrë pjesë në seancën dëgjimore të hetimeve kundër tij, e cila do të mbahet më 4 dhjetor.

Jerrold Nadler, kryetari demokrat i Komisionit Për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se presidenti duhet të marrë pjesë në seanca ose duhet të ndalet së ankuari për procesin e hetimeve.

Nëse merr pjesë në seancën e 4 dhjetorit, presidenti do ta ketë mundësinë që të bëjë pyetje për dëshmitarët në këtë proces.

Një veprim i tillë do të shënonte një fazë të re në hetimet për bisedën telefonike të muajit korrik mes presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjatë asaj telefonate, presidenti amerikan kërkoi nga kreu i Ukrainës që ta hetojë rivalin politik, Joe Biden, i cili vlerësohet si kandidat favorit në Partinë Demokratike për ta sfiduar Trump-in në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë dyshohet se ia ka kushtëzuar Ukrainës dhënien e ndihmave ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve me fillimin e hetimeve kundër Biden-it dhe djalit të tij. Megjithatë, presidenti ka mohuar se e ka bërë një gjë të tillë.

Nëse kjo shkelje vërtetohet, shkarkimi i presidentit duhet të votohet fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila mbizotërohet nga Partia Demokratike. Nëse ky organ e miraton nismën për shkarkim, procesi kalon në Senat, ku shumicën e ka Partia Republikane, pjesë e së cilës është presidenti Trump, shkruan “BBC”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat