SHBA-ja thotë se Irani mund të ketë vrarë mbi 1 mijë protestues

Amerika

SHBA-ja thotë se Irani mund të ketë vrarë mbi 1 mijë protestues

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Forcat iraniane të sigurisë mund të kenë vrarë më shumë se 1.000 njerëz gjatë shtypjes së protestave të fundit, kundër rritjes së çmimit të karburantit, tha një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, më 5 dhjetor.

“Duket se regjimi ka vrarë mbi një mijë qytetarë iranianë që prej fillimit të protestave”, u tha gazetarëve Brian Hook, përfaqësuesi i posaçëm i Uashingtonit për Iranin.

Hook përmendi raporte të paspecifikuara dhe nuk dha dëshmi për numrin e vdekjeve.

Sipas tij, zyrtarët e SHBA-së kanë parë video të një incidenti, në të cilin u qëlluan dhe u vranë më shumë se 100 njerëz.

Protestat në Iran shpërthyen më 15 nëntor, pasi qeveria njoftoi rritjen e çmimit të karburantit deri në 200 për qind, por u ndaluan shpejt nga forcat e sigurisë.

Autoritetet gjithashtu ndalën qasjen në internet për rreth një javë dhe nuk kanë njoftuar ende ndonjë numër zyrtar të vdekjeve.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha më 2 dhjetor se të paktën 208 njerëz besohet të jenë vrarë gjatë sulmit të forcave të sigurisë ndaj protestuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat