Hetimi i Trump/ Miratohen akuzat ndaj presidentit

Amerika

Hetimi i Trump/ Miratohen akuzat ndaj presidentit

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 06:49
Ilustrim

Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve miratoi dy akuzat kundër presidentit Donald Trump, duke e çuar procesin drejt votimit në dhomë.

Vota e komisionit u nda në linja partiake. Tani pritet që akuzat të votohen nga dhoma e përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, javën e ardhshme. Liderët e partisë demokratike u kanë kërkuar ligjvënësve të rrëmojnë në ndërgjegjet e tyre para se të votojnë. Trump është presidenti i katërt amerikan në histori që përballet me atë që njihet si impeachment.

Takimi i të premtes zgjati për vetëm 10 minuta para se dy akuzat; ajo e abuzimit me pushtetin dhe pengimit të kongresit, të miratoheshin me 23 vota pro dhe 17 kundër.

Votimi pritej të enjten por u shty me më shumë se 14 orë pas debateve të nxehta. Republikanët kritikuan vendimin e kryetarit demokrat të komisionit, Jerry Nadler, duke e akuzuar se ai kish shtyrë votimin për të patur më shumë mbulim mediatik.

Për sa i takon akuzës së abuzimit me pushtetin, Trump thuhet se i ka bërë presion një vendi të huaj që ta ndihmojë atë në planin politik, duke u përpjekur ta detyrojë Ukrainën të nisë një hetim për korrupsion ndaj rivalit të tij politik, Joe Biden, pretendent kryesor i demokratëve në garën presidenciale. Trump po ashtu akuzohet se ka penguar kongresin pasi nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetimin e tij.

Presidenti Trump, i cili këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të gabuar, beson se do të ketë një shfajësim të shpejtë gjatë procesit gjyqësor në Senat, i cili pritet të fillojë muajin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat