SHBA-ja vendos sanksione shtesë ndaj Iranit

Amerika

SHBA-ja vendos sanksione shtesë ndaj Iranit

Më: 10 janar 2020 Në ora: 19:58
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ai i Thesarit, Steve Mnuchin

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Iranit për shkak të sulmit ndaj trupave amerikane në Irak këtë javë, tha Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.

"Ne po shpallim sanksionet shtesë kundër regjimit iranian", tha Mnuchin në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë së bashku me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Sanksionet e reja përfshijnë tetë zyrtarë të lartë iranianë, industrinë e çelikut dhe metaleve të tjera të vendit.

“Me vendimin e sotëm, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shënjestron burime të të ardhurave, të cilat regjimi iranian i përdorë për të financuar programin bërthamor, zhvillimin e raketave, terrorizmit dhe ndikimin malinj në rajon”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit.

Më 3 janar, gjenerali iranian, Qasem Soleimani është vrarë nga një sulm amerikan me dron në Bagdad, duke rritur shqetësimet për konflikt në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Soleimani, 62-vjeçar, që ka ndihmuar në orkestrimin e operacioneve ushtarake të Iranit jashtë shtetit, është shpallur terrorist nga SHBA-ja.

Në përgjigje ndaj vrasjes së komandantit iranian, Irani ka nisur sulme me raketa në dy baza amerikane në Irak.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se asnjë ushtar amerikan nuk ka vdekur si pasojë e këtij sulmi dhe duket se Teherani “po tërhiqet”, pas sulmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat