Vazhdojnë negociatat midis talibanëve dhe përfaqësuesit të SHBA-së - Bota Sot
Vazhdojnë negociatat midis talibanëve dhe përfaqësuesit të SHBA-së

Amerika

Vazhdojnë negociatat midis talibanëve dhe përfaqësuesit të SHBA-së

Më: 17 janar 2020 Në ora: 13:15
Zalmay Khalilzad.

Në Katar është mbajtur dita e dytë e bisedimeve, midis grupit militant taliban dhe një ekipi negociues amerikan të udhëhequr nga Zalmay Khalilzad.

"Bisedimet do të vazhdojnë për disa ditë dhe ne do të ndajmë informacione në intervale të ndryshme", tha zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, në një postim në Twitter, më 17 janar.

Shaheen shtoi se bisedimet ishin "të dobishme" dhe se palët po diskutojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje.

Ai nuk bëri të ditura më shumë detaje.

Ende nuk ka asnjë koment nga zyrtarët amerikanë, por agjencia Reuters citoi dy burime, të cilat kanë thënë se nëse arrihet marrëveshja, atëherë talibanët do të zbatojnë një armëpushim 10-ditor me trupat amerikane, një ulje të dhunës dhe diskutim me qeverinë afgane.

Forcat amerikane janë të vendosura në Afganistan që nga viti 2001.

Pushtimi i tyre kishte për qëllim dëbimin e talibanëve, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Në atë kohë talibanët kontrollonin Afganistanin dhe strehuan Osama bin Ladenin, ideatorin e sulmeve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur qëllimin e tij për të larguar 13.000 trupat amerikane nga Afganistani.

Gjatë vitit të kaluar, Pakistani fqinj ka ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve midis negociatorit amerikan, Khalilzad dhe talibanëve në Katar, ku militantët kanë një zyrë politike.

Por, bisedimet kanë ngecur vazhdimisht.

Një zëdhënës i presidencës afgane ka thënë se armëpushimi është mënyra e vetme për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe dinjitoze.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat