Gjyqi ndaj Presidentit Donald Trump vazhdon të martën

Amerika

Gjyqi ndaj Presidentit Donald Trump vazhdon të martën

Më: 17 janar 2020 Në ora: 17:18
Presidenti Donald Trump

Njerëzit e përfshirë në procesin e gjykimit të Presidentit Donald Trump në Senat kanë përpara një fundjavë të gjatë për të reflektuar rreth roleve dhe përgjegjësive të tyre, falë festës kombëtare amerikane të Martin Luther Kingut.

Senati i dërgoi një lajmërim me shkrim Presidentit Trump të enjten, duke e njoftuar për gjyqin dhe akuzat ndaj tij dhe ai duhet të përgjigjet me shkrim brenda mëngjesit të së shtunës.

Gjyqi për shkarkimin e Presidentit Trump vjen në kohëra ndasish të thella në vend dhe ndërsa demokratët po konkurrojnë për të kandiduar përballë tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Zyra për Llogaridhënien e Qeverisë (GAO), një entitet që mbikqyr qeverinë amerikane, konkludoi të enjten se Presidenti Trump shkeli ligjin buxhetor vitin e kaluar kur pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën prej 391 milionë dollarësh që kishte miratuar Kongresi. Në të njëjtën kohë, ai i bëri presion Kievit të fillonte hetime që do ta ndihmonin atë politikisht. Ky vendim lidhet me thelbin e procesit për shkarkimin e Presidentit Trump.

Ndihmën që i duhej Ukrainës për luftën ndaj separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit, Presidenti Trump e zhbllokoi në shtator, pas 55 ditësh vonesë, dhe pa përftuar çeljen e hetimeve nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ndaj njërit prej sfidantëve kryesorë demokratë, ish-Nënpresidentit Joe Biden, si dhe ndaj djalit të tij, Hunter Biden, i cili kishte qenë anëtar bordi i një kompanie ukrainase të gazit.

Por pas hetimit, Zyra për Llogaridhënien e Qeverisë (GAO) konkludoi se “zbatimi i përpiktë i ligjit nuk i lejon presidentit që prioritetet e politikave që Kongresi i ka përcaktuar me ligj, t’i zëvendësojë me përparësitë e politikave të tij”. Në raport përcaktohet se agjensia buxhetore, e kontrolluar nga Presidenti Trump, bllokoi livrimin e fondeve “për arsye politikash”, gjë që nuk e lejon ligji amerikan.

Vendimi i GAO’s u bë publik vetëm dy orë përpara fillimit zyrtar të gjyqit në Senat, ku janë ngritur dy akuza: se Presidenti Trump abuzoi me postin duke u përpjekur ta detyrojë Presidentin ukrainas Zelenskiy të çelë hetime ndaj Joe dhe Hunter Biden, ndërkohë që kishte pezulluar ndihmën ushtarake; si dhe se pengoi përpjekjet e Kongresit për të hetuar veprimet e tij në Ukrainë.

Shtatë ligjvënës, të emëruar si prokurorë të çështjes kundër Presidentit Trump, i paraqitën solemnisht akuzat gjatë një leximi në mesditën e së enjtes në Kapitol. Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff, lexoi akuzat ndaj presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara, në një seancë të zhvilluar vetëm tre herë në historinë prej dy shekujsh e gjysëm të Senatit amerikan.

Ligjvënësit-prokurorë nga Dhoma e Përfaqësuesve duhet të përgatisin dhe të paraqesin argumentat ligjore të shtunën dhe të hënën.

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, John Roberts, bëri betimin për të marrë drejtimin e gjyqit ndaj Presidentit Trump. Pak minuta më vonë, u betuan përpara tij 99 nga 100 senatorët, të cilët do të shërbejnë si juri që do të vendosë për fatin e Presidentit Trump. (Mungonte Senatori James Inhofe, i shteti Oklahoma, për shkak të një emergjence familjare. Ai do ta bëjë betimin javën e ardhshme, kur të ketë filluar gjyqi.) Formula e betimit të ligjvënësve thotë se ata angazhohen të japin “drejtësi të paanshme”. Sidoqoftë, një numër i madh senatorësh e kanë deklaruar tashmë votën e tyre, nëse do të jetë për fajësinë apo pafajësinë e Presidentit Trump.

Pas kësaj pjese përgatitore, gjyqi “i vërtetë” pritet të fillojë të martën e ardhshme, në orën 1 pasdite, në sallën e Senatit.

Zyra për Menaxhimin dhe Buxhetin, po kështu edhe Shtëpia e Bardhë, e hodhën poshtë konkluzionin e GAO’s.

“Nuk jemi dakord me opinionin e GAO’s”, tha një zëdhënës i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin. “Zyra jonë ushtron autoritetin e saj për caktimin e fondeve, për t’u siguruar që dollarët e taksapaguesve të shpenzohen në përputhje me përparësitë e presidentit dhe me ligjin”.

Duke qenë se republikanët kanë shumicën në Senat (53 me 47), është pothuajse e sigurtë që Presidenti Trump do të dalë i pafajshëm dhe do të vazhdojë detyrën. Për ta shpallur atë fajtor për secilën nga dy akuzat, nevojiten votat e 2/3 të senatorëve. Disa republikanë kanë kritikuar përpjekjet e Presidentit Trump për të hapur hetime ndaj zotërinjve Biden.

Por, asnjë republikan nuk ka bërë thirrje për shpalljen e tij fajtor dhe heqjen nga detyra, ndërsa jemi vetëm më pak se një vit larg momentit kur ai do të përballet me votuesit për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat