SHBA, gjyqi në Senat. Sot, deklaratat e hapjes

Amerika

SHBA, gjyqi në Senat. Sot, deklaratat e hapjes

Më: 22 janar 2020 Në ora: 15:37
SHBA

Senati amerikan mblidhet përsëri sot për gjyqin e Presidentit Donald Trump, ku do të dëgjojë deklaratat e hapjes nga një grup anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët argumentojnë se përse presidenti duhet të shkarkohet nga detyra.

Pak para orës 2 të mëngjesit Senati votoi në linja partiake, 53 me 47 për të miratuar rregullat e gjyqit të propozuara nga udhëheqësi i shumicës republikane Mitch McConnell.

Votimi erdhi pas një serie debatesh, sepse demokratët e pakicës kanë kërkuar që në gjyq të lejohet paraqitja e dokumenteve dhe e dëshmive nga ana e zyrtarëve të administratës Trump, të cilët Shtëpia e Bardhë nuk i lejoi të dëshmonin gjatë fazës së hetimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Përfundimisht u vendos që si ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që do të bëjnë deklaratat e hapjes ashtu edhe ekipi ligjor i Presidentit Trump do të kenë nga 24 orë afat për këto deklarata në një shtrirje kohe prej tre ditësh. Gjithashtu, në gjyq nuk do të lejohen dëshmitarë të rinj, diçka që demokratët e kërkonin me ngulm.

Fakti që votimi u bë në linja të prera partiake flet shumë për rezultatin e pritshëm të gjykimit, pra është thuajse e sigurt që ky gjyq nuk do ta shkarkojë Presidentin Trump nga detyra pasi asnjë nga republikanët nuk ka sinjalizuar se do të votonte kundër tij.

Ndërkohë, Presidenti Trump sulmoi ashpër akuzuesit e tij në Senat, por tha se do të preferonte një gjykim më të gjatë, në mënyrë që zyrtarët e lartë të administratës së tanishme dhe ata të mëparshëm të mund të dëshmojnë në gjyq, megjithëse kjo do të krijonte shqetësime të sigurisë kombëtare.

Duke folur në një konferencë të paplanifikuar me gazetarët në Davos të Zvicrës, Presidenti tha se i takon Senatit të vendosë rregullat e gjyqit, por se ai do të dëshironte që ish-këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton dhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo të dëshmonin.

"Problemi me John Boltonin është se kjo është çështje e sigurisë kombëtare," tha Presidenti Trump ndërsa përgatitej të largohej nga Forumi Ekonomik Botëror i Davosit.

"Ai i di disa nga mendimet e mia; ai e di çfarë mendoj unë për udhëheqësit e ndryshëm. Çfarë ndodh nëse ai zbulon atë që unë mendoj për një udhëheqës të caktuar, nëse kjo nuk është shumë pozitive?" tha Presidenti Trump dhe shtoi se edhe dëshmia e sekretarit Pompeo do të përbënte rrezik.

Presidenti Trump vazhdoi edhe sot ta quajë farsë procesin kundër tij por tha se nuk i ka ndryshuar planet për të mbajtur fjalimin tradicional për gjendjen e vendit më 4 shkurt.

Ai sulmoi ekipin e ligjvënësve që kanë paraqitur akuzat kundër tij dhe tha se do të donte të "ulej në rreshtin e parë të vendeve të Senatit dhe të shihte fytyrat e tyre të korruptuara”. Demokratët thonë se Presidenti Trump shpërdoroi pushtetin në veprimet e tij me Ukrainën dhe pengoi Kongresin në hetimin që ndërmori. Presidenti mohon se ka bërë diçka të gabuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat