Gazetares së NPR-së i ndalohet udhëtimi me Pompeon

Amerika

Gazetares së NPR-së i ndalohet udhëtimi me Pompeon

Më: 28 janar 2020 Në ora: 08:41
Mike Pompeo

Departamenti amerikan i Shtetit nuk e përfshiu një gazetare të Radios Publike Kombëtare (NPR) në grupin e mediave që do të udhëtojnë me sekretarin Mike Pompeo, në një turne jashtë SHBA-së.

Ky veprim vjen disa ditë pasi Pompeo zhvilloi një intervistë të tensionuar me një gazetare tjetër të Radios Publike Kombëtare.

Radioja tha se nuk i është dhënë arsye për refuzimin e gazetares Michele Kelemen.

Shoqata e Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, e cila përfaqëson gazetarët që mbulojnë Departamentin e Shtetit, tha se ndalimi i gazetares Kelemen mund të shihet vetëm si "hakmarrje" për intervistën e koleges së saj me Pompeon.

Departamenti i Shtetit nuk bëri ndonjë koment.

Mary Louise Kelly, gazetare e Radios Publike Kombëtare, e intervistoi Pompeon më 24 janar.

Në atë intervistë, Pompeo u pyet në mënyrë të përsëritur për Ukrainën dhe ambasadoren e shkarkuar të SHBA-së, Marie Yovanovitch.

Shkarkimi i Yovanovitchit ka qenë një faktor kyç që ka çuar në nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Kelly tha se Pompeo është zemëruar dhe i ka dhënë fund intervistës kur është pyetur nëse e ka mbrojtur Yovanovitchin.

Kelly po ashtu tha se asaj i është kërkuar që të shkonte në një dhomë tjetër të Pompeos për të vazhduar bisedën, pas intervistës 9-minutëshe.

Ajo tha se Pompeo ka bërtitur dhe ka përdorur gjuhë të urryer pasi ka pretenduar se shumica e amerikanëve nuk e dinë se ku ndodhet Ukraina.

Pompeo tha më pas se Kelly ka gënjyer.

Pompeo udhëton këtë javë në Britani, Ukrainë, Bjellorusi, Kazakistan dhe Uzbekistan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat