Prokurori i Përgjithshëm do të dëshmojë në Kongres

Amerika

Prokurori i Përgjithshëm do të dëshmojë në Kongres

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 17:55
William Barr, kreu i Departamentit të Drejtësisë

William Barr, kreu i Departamentit të Drejtësisë (që njihet me titullin zyrtar Prokuror i Përgjithshëm) pritet të dëshmojë përpara Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve muajin që vjen, mes kërkesave të ligjvënësve për një hetim rreth ndikimit të presidentit Donald Trump mbi Departamentin që ai drejton dhe sistemin e drejtësisë penale në vend.

Lajmi për paraqitjen e zotit Barr njoftua të mërkurën nga kryetari demokrat i këtij komisioni, në të njëjtën ditë që presidenti vlerësoi zotin Barr për ndërhyrjen në çështjen kundër njeriut të besuar të tij, Roger Stone.

Zoti Trump kërkoi një dënim të vogël për të pasi prokurorët kishin rekomanduar burgim deri në nëntë vjet.

Në një postim në twitter zoti Trump e përgëzonte zotin Barr për marrjen në ngarkim të një çështjeje që, sipas tij, ishte plotësisht jashtë kontrollit dhe që mbase, siç shkruante ai, nuk duhej të ishte ngritur kurrë.

Çështja Stone lidhet me hetimin e zgjedhjeve të vitit 2016 të fituara nga zoti Trump. Pas ndërhyrjes së zotit Barr, katër prokurorë të qeverisë vendosën ta lënë çështjen. Ata kishin rekomanduar dënimin nga 7 në 9 vjet heqje lirie për zotin Stone./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat