Studentët amerikanë përfshihen drejtpërdrejt në bisedat politike kombëtare

Amerika

Studentët amerikanë përfshihen drejtpërdrejt në bisedat politike kombëtare

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 07:26
SHBA

Për dekada të tëra, debatet presidenciale janë zhvilluar në kampuset e kolegjeve, përfshirë debatin demokrat të premten në Nju Hempshër. Arsyet janë kryesisht praktike — universitetet zakonisht janë të pajisura me auditoriume të bollshme, parkim dhe qendra mediatike. Por, ato gjithashtu u ofrojnë studentëve një mundësi që të përfshihen drejtpërdrejt në bisedat politike kombëtare. Zërit të Amerikës ishte në Kolegjin St. Anselm në Mançester, Nju Hempshër për të mësuar më shumë rreth përvojës së studentëve, pak përpara një prej garave kryesore në zgjedhjet paraprake të këtij viti.

Nëse dalin vullnetarë për kandidatët apo agjencitë e lajmeve, paraqesin pyetje ose mbulojnë ngjarjen për gazetën universitare, studentët në Kolegjin St. Anselm po mësojnë se mbajtja e një debati politik u jep atyre mundësinë për t’u përfshirë personalisht në të.

"Jam këtu me gazetën St. Anselm Crier, jam redaktore lajmesh. Ati Jerome, i cili është këshilltari ynë – më ka caktuar të shoh reagimin e shtypit për gjithçka ndodh… mendoj se shumë studentë janë të përfshirë dhe po bëhen gjithnjë e më shumë të interesuar për politikën, duke bërë pyetje mbi ndryshimet klimatike, borxhet studentore etj. Pra mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë të njohur pozicionin dhe zërin tonë", thotë Janelle Fassi.

Edhe ata që nuk janë të përfshirë direkt në debat, po marrin përvojën e organizimit të një ngjarje të tillë që ndiqet në të gjithë vendin.

"Është vërtetë një eksperiencë e mirë të shohësh kampusin tonë të vogël të shndërruar në diçka kaq të madhe. Debati zhvillohet në pistën tonë të patinazhit. Më pëlqen patinazhi në akull dhe vij shpesh këtu. Tani më vjen çudi kur mendoj se si të gjithë këta kandidatë do të jenë në të njëjtin vend ku më pëlqen të bëj patinazh”, thotë studentja Kathryn Gardella.

Por, përvoja e studentëve në St. Anselm është veçanërisht e ndryshme sepse Nju Hempshër është një nga organizatorët e parë të zgjedhjeve paraprake. Edhe ata studentë që nuk marrin pjesë në debat u jepen shumë mundësi për të bashkëvepruar me kandidatët.

"Ne, si studentë kemi mundësinë të përjetojmë këtë përvojë që është vërtetë mbresëlënëse. Ne na jepet mundësia të jemi pjesëmarrës në sensin që edhe në se nuk studion politikë, merr përvojën dhe intervistohesh”, thotë Rebekah Larson. Dhe të martën, studentët e St. Anselm, së bashku me pjesën tjetër të këtij shteti, votuan në zgjedhjet e para paraprake të Partisë Demokrate të fushatës presidenciale 2020./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat