Julian Assange iu ofrua falje nga administrata Trump, ja çfarë pritet të deklarojë në gjyq

Amerika

Julian Assange iu ofrua falje nga administrata Trump, ja çfarë pritet të deklarojë në gjyq

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 16:58
Julian Assange

Avokati i Julian Assange, tha se themeluesi i Wikileaks, do të tregojë para gjykatës se atij iu ofrua falje nga administrata e presidentit, Donald Trump, në këmbim të deklarimit publik se Rusia nuk ishte e përfshirë në hakerimin e postës elektronike të Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Assange, po e kundërshton ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara. Ai u arrestua vitin e kaluar në Londër me kërkesë të SHBA-ve, nën akuzën e spiunimit që datonte nga viti 2010. Seanca gjyqësore ndaj tij do të zhvillohet javën e ardhshme.

Gjatë një seance dëgjimore paraprake, më 19 shkurt, avokati i Assange, Edward Fitzgerald, tha se në vitin 2017-të, ish-ligjvënësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Dana Rohrabacher, e vizitoi Assange, në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Fitzgerald i tha gjyqtarit se një avokat tjetër i Assange, Jennifer Robinson, i ka kujtuar se Rohrabacher kishte thënë se vizitën po e bënte me udhëzime nga presidenti Trump dhe se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme ta falnin Assange, ose të ofronin një mjet tjetër për ta liruar, nëse do të thoshte se Rusia nuk ishte të përfshirë në publikimin e email-ave të demokratëve.

Në vitin 2016, ndërsa Trump dhe demokratja, Hillary Clinton po garonin për presidencën e SHBA-së, WikiLeaks publikoi mijëra email-a nga Komiteti Kombëtar i Demokratëve.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të avokatit, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham tha: “Kjo është absolutisht dhe plotësisht gënjeshtër”.

“Presidenti Donald Trump e njeh Dana Rohrabacher vetëm si një ish-kongresist. Ai kurrë nuk ka folur me të në lidhje me këtë temë ose pothuajse asnjë çështje”, tha Grisham, duke shtuar se ky është një trillim i plotë dhe një gënjeshtër totale.

“Ky është ndoshta një tjetër mashtrim i DNC (Komitetit Kombëtar të Demokratëve)”, tha ajo. Rohrabacher, në një deklaratë të publikuar në llogarinë e tij në Twitter, tha se ai kurrë nuk ka folur me Trumpin për Assange.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat