Bloomberg ndeshet me kritika në debatin e tij të parë presidencial - Bota Sot
Bloomberg ndeshet me kritika në debatin e tij të parë presidencial

Amerika

Bloomberg ndeshet me kritika në debatin e tij të parë presidencial

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 21:13
Michael Bloomberg

Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg ishte në shënjestër të rivalëve të tij demokratë në debatin e së mërkurës në Las Vegas të Nevadës, që ishte edhe debati i parë ku ai merrte pjesë. Bloomberg tashmë ka pasur një ndikim të madh në garë duke harxhuar qindra miliona dollarë për reklama televizive. Ai renditet në vend të dytë në disa sondazhe pas senatorit të Vermontit, Bernie Sanders. Bloomberg tani e gjen veten krahas një grupi demokratësh të moderuar, që përpiqen të sfidojnë senatorin Sanders, i cili e përshkruan veten si demokrat-socialist, me mbështetje të fortë nga krahu më liberal i partisë.

Në debatin e fundit mes demokratëve të transmetuar nga NBC News, ish-kryetari i Bashkisë së New York-ut Michael Bloomberg e gjeti veten menjëherë në shënjestrën e të gjithëve.

Akuzat vinin kryesisht nga senatorja e shtetit Masaçusets, Elizabeth Warren.

"Unë do të mbështes cilindo kandidat demokrat që merr emërimin demokratët rrezikojnë shumë nëse thjesht zëvendësojmë një miliarder arrogant me një tjetër."

Edhe senatori i Vermontit, Bernie Sanders mezi priti të sulmonte Blumbergun.

"Ne po u japim zë njerëzve që thonë se jemi të lodhur me miliarderë si zoti Bloomberg, që po shtojnë pa masë pasurinë, ndërsa gjysmë milioni njerëz sonte flenë në rrugë."

Bloomberg u përpoq të argumentojë se ai do të mund të bashkojë demokratët dhe të mposhtë Presidentin Trump në nëntor.

"Mendoj se sonte përballemi me dy pyetje: Njëra është, kush mund ta mposhtë Donald Trumpin? Dhe e dyta: kush mund ta bëjë punën nëse hyn në Shtëpinë e Bardhë? Unë do të argumentoja se jam kandidati që mund t'i bëjë saktësisht të dyja këto."

Bloomberg ka harxhuar qindra miliona dollarë për të promovuar veten si një alternativë kryesore ndaj kandidatit Sanders.

Por pasuria e tij dhe hyrja e vonuar në garë e kanë bërë Bloombergun një objekt sulmi të senatorit Sanders.

"Ne jemi demokraci, jo oligarki. Ju nuk do t’i bleni dot këto zgjedhje!"

Strategjia e Bloombergut është të shfrytëzojë pasigurinë që ekziston në garën e demokratëve, thotë analisti Jim Kessler.

"Ai në fakt e vuri kandidaturën pikërisht sepse gara ishte e paqartë. Pra, nëse shikon fushën e shahut, mbi të cilën ai nuk ka kontroll, gurët në të kanë lëvizur pikërisht ashtu siç do të dëshironte ai.”

Bloomberg e paraqet veten si një alternative të moderuar në garën e demokratëve.

Por ai nuk është i vetëm, thotë gazetarja Julie Pace.

"Joe Biden, Amy Klobuchar dhe Pete Buttigieg, po përpiqen të dalin nga kjo pistë e moderuar, sepse me hyrjen e tij në garë kaq vonë, ata e ndjejnë se numri i tyre në këtë kategori është shtuar."

Bloomberg, i cili i la të kalojnë garat e para, po llogarit të paraqitet fort më 3 mars në garat e super të martës që zhvillohen në 14 shtete, thotë analisti John Fortier.

“Ai nuk është përballur ende me shqyrtimin e imtë nëpër të cilin kanë kaluar kandidatët e tjerë. Ai mund të ketë një vend ku do të ngrejë flamurin e tij, por ende nuk e dimë me siguri. Mundësia ekziston për shkak të parave që ka, të shpenzimeve që ka bërë. E megjithatë nuk e dimë nëse do të arrijë t’i bëjë ballë shqyrtimit të imtë të së kaluarës së tij, ashtu si të tjerët."

Bloomberg do të vazhdojë të bombardojë valët televizive me reklama, por rivalët e tij janë të sigurtë se kjo do të ngrejë pikëpyetje për aftësinë e tij, pas një paraqitje jo dhe aq solide në debatin e parë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat