Sanders, vëmendje e re tek e shkuara e tij radikale

Amerika

Sanders, vëmendje e re tek e shkuara e tij radikale

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 20:55
Bernie Sanders

Në debatin e fundit të Partisë Demokrate të martën në mbrëmje, senatori amerikan Bernie Sanders, kandidati kryesues për nominimin e partisë për t'u përballur me Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, u vu në shënjestër për shkak të komenteve që ai bëri duke lavdëruar Kubën komuniste, nën udhëheqësin autoritar Fidel Castro.

Siç njofton Brian Padden i Zërit të Amerikës, ka shqetësime se nëse zoti Sanders fiton emërimin e partisë, pikëpamjet e tij polarizuese të politikës së jashtme së bashku me axhendën e tij të brendshme socialiste, mund të çojnë në humbje katastrofike për Partinë Demokrate.

Në një debat me shtatë kandidatë në Karolinën e Jugut në kanalin televiziv CBS News, Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, tha se ai kundërshton autoritarizmin në të gjithë botën, por mbrojti lavdërimet e tij të së kaluarës për kujdesin shëndetësor dhe arsimin në Kubë nën udhëheqësin komunist Fidel Castro, duke thënë se pikëpamjet e tij nuk janë ndryshe nga ato të ish Presidentit Barack Obama.

"Barack Obama tha se ata kanë bërë përparim të madh në arsim dhe kujdesin shëndetësor - ky ishte Barack Obama. Herë pas here, mund të jetë ide e mirë, të jemi të sinqertë për politikën e jashtme amerikane, dhe kjo përfshin faktin që Amerika ka rrëzuar qeveri në mbarë botën", deklaroi zoti Sanders.

Ish-Nënpresidenti Joe Biden, refuzoi krahasimin e Sanders-it duke thënë se ish-shefi i tij gjithmonë theksonte kundërshtimin e fortë ndaj represionit në Kubë kur takohej me udhëheqjen e atij vendi.

"Realiteti është se ai në fakt nuk ka përqafuar kurrë një regjim autoritar dhe nuk e bën këtë as tani", tha zoti Biden.

Komentet pozitive të Sanders-it për Kubën rikthyen në vëmendje të kaluarën e tij radikale, ndër të tjera edhe përfshirjen e tij me Partinë Socialiste të Punëtorëve në vitet 1980 që bënte thirrje për "solidaritet" me Iranin ndërsa ai vend mbante peng shtetas amerikanë, si dhe me Kubën komuniste.

E kaluara e zotit Sanders gjithashtu ngre shqetësime për pozicionet e tij të politikës së jashtme që janë shumë të diskutueshme, ashtu si propozimet e tij për kujdes shëndetësor falas dhe arsim të lartë.

"Nëse do të ishte e mundur që vendi të bëhet më i polarizuar sesa është tani, një presidencë Sanders do ta arrinte këtë gjë", thotë David Barker, profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan.

Sanders do të shkurtonte shpenzimet ushtarake në një kohë kur kundërshtarët e Amerikës po zgjerojnë aftësitë e tyre.

Kritikët thonë se refuzimi i tij për pothuajse çdo përdorim të forcës amerikane dhe lënia hapur e mundësisë së zbutjes së sanksioneve për qeveritë represive në Korenë e Veriut, Iranin dhe Kubën, do të ishte e barabartë me paqtimin.

Shumë demokratë tani paralajmërojnë se nëse nominohet zoti Sanders, përkushtimi i tij socialist mund t'i kushtojë partisë jo vetëm humbjen e presidencës, por edhe do t'i ndihmojë republikanët të rimarrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat