SHBA kritikon gjykatën e Hagës

Amerika

SHBA kritikon gjykatën e Hagës

Më: 5 mars 2020 Në ora: 19:41
Gjykata Penale Ndërkombëtare

Gjykata Penale Ndërkombëtare vendosi të enjten pro vazhdimit të një hetimi mbi dyshimet për krime të kryera nga palë të ndryshme gjatë luftës në Afganistan. Vendimi u kritikua nga SHBA.

“Ky është një veprim befasues nga një institucion jo përgjegjës për pasojat, që pretendon të jetë një organ juridik”, u tha zoti Pompeo gazetarëve në Uashington disa orë pas vendimit. “Sot gjykata pohoi çdo denoncim të bërë nga kritikët e saj më të ashpër", shtoi ai.

Vendimi Gjykatës Penale Ndërkombëtare rrëzon vendimin e një gjykate më të ulët, e cila vitin e kaluar i bllokoi përpjekjet për hetime.

Vendimi i së enjtes i hap rrugë prokurorit Fatou Bensouda të shqyrtojë veprimet e forcave amerikane, punonjësve të CIA-s, kryengritësve talebanë, forcave afgane qeveritare si dhe grupeve të tjera të armatosura, gjatë konfliktit në Afganistan që nisi në vitin 2001. Zoti Bensouda ka kërkuar kryerjen e hetimeve zyrtare lidhur me dyshime për veprimtari kriminale që nga viti 2017.

Uashingtoni nuk e njeh këtë gjykatë dhe e ka kundërshtuar autoritetin e saj mbi qytetarët amerikanë. Afganistani ndërkohë është anëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Sipas zotit Pompeo vendimi bëhet edhe më i nxituar pasi vjen disa ditë nga marrëveshja historike e paqes që Shtetet e Bashkuara nënshkruan për Afganistanin.

"Vetë qeveria afgane i kërkoi gjykatës që të mos ta ndërmarrë këtë kurs, por politikanët e kësaj gjykate kishin qëllime të tjera", tha zoti Pompeo.

"Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të gjykatës dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët tanë nga ky institucion i paligjshëm që pretendon të jetë gjykatë", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat