Anija “Grand Princess”, me 21 të infektuar bllokohet në brigjet e San Franciscos

Amerika

Anija “Grand Princess”, me 21 të infektuar bllokohet në brigjet e San Franciscos

Më: 7 mars 2020 Në ora: 22:00
Anija “Grand Princess”

21 raste me koronavirus janë konfirmuar brenda anijes Grand Princess, e cila tash e disa ditë po qëndron nën karantinë në brigjet pranë San Franciscos.

Kjo anije është e ngjashme me Diamond Princess, e cila ishte vatër e përhapjes së koronavirusit në Japoni.

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence tha se gjatë fundjavës do të dërgohet një ekip për t’i testuar të gjithë 3.553 udhëtarët dhe ekuipazhin.

Ndërsa në Iran një tjetër deputet ka vdekur, pasi vuante nga simptomat e koronavirusit.

Irani ka raportuar 124 vdekje dhe 4,747 të infektuar. Në Iran shkollat janë mbyllur ndërsa të gjitha ngjarjet sportive dhe kulturore janë anuluar.

Numri i të vdekurve nga epidemia e koronavirusit në Kinë u rrit në 3.072 të shtunën, njoftoi Komisionit Kombëtar i Shëndetësisë.

Autoritetet bënë të ditur se 28 njerëz vdiqën në 24 orët e fundit, ndërsa u zbuluan 99 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në mbi 80.000.

Të paktën 22.177 persona aktualisht janë nën kujdes mjekësor, kurse numri i pacientëve të liruar ka arritur në 55.404.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi ka marrë jetën e rreth 3.500 njerëzve globalisht, ndërsa ka infektuar 100 mijë vetë.

OBSH-ja, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat