SHBA, pasagjerët marrin masa mbrojtëse për fluturimet brenda vendit

Amerika

SHBA, pasagjerët marrin masa mbrojtëse për fluturimet brenda vendit

Më: 14 mars 2020 Në ora: 21:07
SHBA

Përhapja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka shtuar masat mbrojtëse në aeroporte në të gjithë vendin. Udhëtarët si dhe agjentët e administratës që garanton sigurinë në udhëtim po përdorin çdo lloj metode për t'u mbrojtur nga virusi. Gazetarja e Zërit të Amerikës Celia Mendoza, pyeti disa udhëtarë lidhur me shqetësimet më të mëdha të tyre.

Pas njoftimit të Presidentit Donald Trump se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë të gjitha fluturimet nga Evropa, pasagjerët që udhëtojnë nga Nju Jorku drejt Majemit janë të shqetësuar për masa të tjera kufizuese që mund të pasojnë këtë vendim.

Miguel, një 63 vjeçar me origjinë nga Guatemala, do të niset nga Nju Jorku për në Florida, për një pushim të planifikuar.

“Nuk kanë thënë asgjë për fluturimet e brendshme. Nuk ka ndonjë problem. Do të kënaqemi në Majemi dhe me ndihmën e Zotit do të kthehemi pa probleme në shtëpi”, tha Miguel Angel Arriaga, pasagjer.

Heilin Arriaga që po udhëton me dy fëmijët e saj, ka shtuar kujdesin pas përhapjes së koronavirusit.

“Përdorëm letra dezinfektuese sapo mbërritëm në aeroport pasi fëmijët prekin çdo gjë dhe i fusin duart në gojë”, tha ajo.

Disa i përdorin letrat dezinfektuese për të pastruar sipërfaqet në aeroplan.

“Pasi ta pastroj do të vendos maskën. Kjo ka shumë rëndësi për mua pasi vuaj edhe nga kanceri. Imuniteti im mund të bjerë në çdo moment ndaj u rekomandoj të gjithë atyre që vuajnë nga sëmundje që dëmtojnë imunitetin se është me rëndësi të merren masa mbrojtëse”, thotë Edwish Adrian, një pasagjere që është e prekur nga sëmundja e kancerit.

Shtetet e Bashkuara radhiten mes një numri të madh vendesh që kanë ndaluar fluturimet nga Azia dhe Evropa. Shumë pasagjerë po anulojnë udhëtimet dhe Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror ka bërë të diur se koronavirusi mund t’u shkaktojë kompanive një humbje mbi 100 miliardë dollarë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat