Guvernatori i Kalifornisë urdhëron banorët të qëndrojnë në shtëpi

Amerika

Guvernatori i Kalifornisë urdhëron banorët të qëndrojnë në shtëpi

Më: 20 mars 2020 Në ora: 18:28
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom urdhëroi të enjten 40 milionë banorët e shtetit perëndimor, më i populluari në Shtetet e Bashkuara, të qëndrojnë në shtëpi, si pjesë e luftës kundër sëmundjes. Zoti Newsom e lëshoi urdhrin pasi 19 veta kanë vdekur dhe 958 kanë rezultuar pozitivë ndaj virusit në Kaliforni.

Guvernatori Newsom tha të enjten në mbrëmje se kufizimet në nivel shteti për çdo lëvizje jo të domosdoshme, janë të nevojshme për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit që kërcënon të mbingarkojë sistemin shëndetësor të shtetit. Ai foli për banorët e Kalifornisë.

"Ata do të ngrihen në lartësinë e duhur, ashtu siç kanë bërë javët e fundit, për të mbrojtur veten e tyre, familjet e tyre dhe më gjerë komunitetet e tyre në shtetin tone të mrekullueshëm, si edhe botën ku jetojmë”, tha guvernatori Newsom.

Më herët ai kishte bërë parashikimin shqetësues se 56% e popullsisë së Kalifornisë mund të preken nga virusi gjatë tetë javëve të ardhshme.

Vendimi për urdhëruar qëndrimin brenda, pasoi një tjetër urdhër për Los Anxhelesin, sipas të cilit mbylleshin të gjitha qendrat tregëtare, dyqanet jo të domosdoshme dhe sheshet e lojrave.

“Njerëzit vazhdojnë të plotësojnë shërbimet jetike, vazhdojnë të shkojnë të blejnë ushqime, të ecin me qentë e tyre. Megjithatë ata mbajnë distancën kur janë në rrugë. Ata janë në gjendje të marrin ilaçet. Urdhri e parashikon kryerjen e funksioneve të domosdoshme”, tha ai.

Guvernatori Newsom i kërkoi Kongresit të enjten 1 miliardë dollarë në fonde federale për të mbuluar kostot e pritshme, shkaktuar nga sëmundja.

Të mërkurën, zoti Newsom i kishte shkruar presidentit Donald Trump për t’i kërkuar që një anije spitalore e marinës të dislokohet në një port të Los Anxhelesit për pacientët nga Kalifornia, numri i të cilëve pritet të rritet.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i rasteve me koronavirus ka arritur në 14,250 dhe 205 vetë kanë vdekur prej tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat