SHBA, miliona vetë urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi - Bota Sot
SHBA, miliona vetë urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi

Amerika

SHBA, miliona vetë urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi

Më: 22 mars 2020 Në ora: 18:36
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump

Në kushtet e mungesës së maskave e paisjeve të tjera mbrojtëse për personelin mjekësor, qeveria federale amerikane ka nënshkruan kontrata të reja për të siguruar furnizime. Numri i të infektuarve në Shtetet e Bashkuara i ka kaluar tashmë të 26 mijë vetët ndërsa janë shënuar 340 raste vdekjesh si pasojë e koronavirusit. Të Qyteti i Nju Jorkut, i cili ka një numër të madh të infektuarish, po kufizon kategoritë e personave që mund të testohen, me qëllimin për të kursyer paisjet mjekësore. Të paktën 84 milionë banorë janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump përshëndeti përpjekjet mbarëkombëtare për t’u përballur me virusin COVID-19.

“Po punojmë me kryebashkiakët apo guvernatorët me një qëllim, të shpëtojmë jetët e amerikanëve”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë Kongresi po punon për një paketë ligjore për të lehtësuar situatën e krijuar nga virusi vdekjeprurës, kostoja e së cilës mund t’i kalojë 1 trilionë dollarët. Grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë po punon për të plotësuar mangësitë në furnizimin me paisje mjekësore.

“Departamenti i Shëndetësisë ka porositur maska N95 në një vlerë prej gjysmë miliardi dollarë, në koordinim me agjensitë e emergjencave. Në këtë mënyrë po i përgjigjemi kërkesave që dërgojnë shtetet amerikane”, tha Nënpresidenti Pence.

Por gazetarët këmbëngulën të dinë se kur do të jenë të disponueshme.

“Do t’i ofrojmë me prioritet pasi të gjithë guvernatorët po kërkojnë të njëjtat gjëra”, tha Peter Gaynor, drejtor i Agjensisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA).

Shteti i Nju Jorkut është shpallur tashmë zonë katastrofe madhore.

“Po shqyrtojmë edhe zona të tjera dhe po bashkëpunojmë nga afër me guvernatorin e Kalifornisë e të tjerë”, tha Presidenti Trump.

Departamenti i Shëndetësisë së qytetit të Nju Jorkut thotë se po e kufizon testimin për COVID-19 vetëm për ata pacientë që gjenden tashmë të shtruar në spital. Kjo bëhet me qëllimin për të kursyer stokun e testeve, por edhe paisjet mbrojtëse për doktorët.

“Kur shkoni për t’u testuar, praktikisht konsumoni paisje mbrojtëse personale, maska dhe veshje mbrojtëse. Ato janë tejet të rëndësishme për punonjësit e shëndetësisë të cilët kujdesen për njerëzit e infektuar tashmë me koronavirus”, tha dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Ngjitëse.

Zyrtarët thonë se pjesa e popullsisë që po trajtohet me prioritet janë ata që janë të shtruar në spital, punonjësit e shëndetësisë që shfaqin simptoma, të moshuarit e në veçanti ata që ndodhen në qendra të kujdesit afatgjatë shëndetësor.

Në kushtet e mungesave të mëdha në treg, disa kompani po ndryshojnë mënyrën e punës. Në vend të pijeve ata po prodhojnë alkool për të dezinfektuar duart.

“Ndodhemi tashmë në luftë. Dhe secili në këtë situatë duhet të bëjë pjesën që i takon”, thotë një punonjëse distilerie.

Të shtunën, Nju Xhersi u bë shteti i gjashtë që mbylli të gjitha bizneset që kryejnë shërbime jo-thelbësore. Shtetet e tjera janë Kalifornia, Nju Jorku, Illinoi, Pensilvania e Nevada.

Mbi 84 milionë amerikanë janë udhëzuar tashmë të qëndrojnë në shtëpi.

“Çdo vend ku grumbullohen njerëz, ndikon në përhapjen e koronavirusit”, tha guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy. Për momentin qeveria federale ka porositur 600 milionë maska për 18 muajt e ardhshëm. Por zyrtarët thonë se kërkesa gjatë kësaj periudhe mund të shkojë në 1 miliard./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat