Së paku 23 të vrarë nga kryengritja në një burg të Kolumbisë

Amerika

Së paku 23 të vrarë nga kryengritja në një burg të Kolumbisë

Më: 23 mars 2020 Në ora: 08:44
Foto ilustrim

Të paktën 23 persona kanë vdekur në njërin nga burgjet më të mëdha të Bogotës në Kolumbi pas asaj që autoritetet e cilësuan si përpjekje për arratisje masive në kohën e rritjes së tensioneve shkaku i koronavirusit.

Ministrja kolumbiane e drejtësisë, Margaritta Cabello, tha se 83 të burgosur janë lënduar gjatë një kryengritjeje në burgun “La Modelo”.

Të burgosurit në burgjet e Kolumbisë mbajtën protesta të dielën kundër stërmbushjes së qelive dhe shërbimeve të dobëta shëndetësore gjatë përhapjes së koronavirusit. Ministria e Drejtësisë është duke i hetuar këto pretendime.

Ministrja Cabello njoftoi se 32 të burgosur dhe shtatë roje burgu ndodhen në spital për shkak të lëndimeve, ndërsa dy roje ndodhen në gjendje të rëndë.

Ajo shtoi se dhuna ishte pjesë e një plani të organizuar. Në tërë vendin, trazira u raportuan në 13 burgje të ndryshme, shkruan “BBC”.

Një numër i madh i të afërmve të të burgosurve u mblodh afër portës hyrëse të burgut “La Modelo” për të marrë vesh rreth gjendjes së më të dashurve të tyre. Ata thanë se kanë dëgjuar të shtëna pas arritjes së forcave të sigurisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, 132 burgjet e Kolumbisë kanë kapacitet për 81 mijë të burgosur, por brenda tyre tanimë ndodhen 121 mijë njerëz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat