Presidenti Trump përpiqet të qetësojë publikun e Shteteve të Bashkuara

Amerika

Presidenti Trump përpiqet të qetësojë publikun e Shteteve të Bashkuara

Më: 24 mars 2020 Në ora: 06:23
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump u përpoq përsëri të hënën të qetësonte publikun, duke e thënë se epidemia e koronavirusit nuk do të zgjasë.

Duke folur nga Shtëpia Bardhë me anëtarë të grupit të punës për koronavirusin, zoti Trump tha se administrata e tij po punon për hapat e ardhshëm, për rihapjen e bizneseve dhe aspekte të tjera të shoqërisë, sapo të përcaktojnë ekspertët e shëndetësisë se distanca sociale nuk është më e nevojshme.

"Vendi ynë nuk është i tillë që të paralizohet. Amerika së shpejti do të rihapet”, tha ai.

Presidenti shtoi se kjo do të ndodhë “shumë më herët se tre-katër muaj”, që kanë thënë disa.

Presidenti Trump e bëri këtë parashikim, pavarësisht nga këshillat e zyrtarëve të shëndetësisë, përfshirë ekspertin më me peshë të sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci, që kanë thënë se në Shtetet e Bashkuara pandemia nuk ka arritur ende pikën kulmore.

Zoti Trump përsëriti gjithashtu komentet se është e rëndësishme që të mbrohet komuniteti aziatiko-amerikan në Shtetet e Bashkuara.

Numri i viktimave nga koronavirusi në një ditë të vetme në Shtetet e Bashkuara, ishte të hënën për herë të parë më i lartë se 100, me numrin e përgjithshëm të konfirmuar mbi 500 dhe mbi 43, 600 të infektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat