Humbja e punës, e trishtë për shumë amerikanë

Amerika

Humbja e punës, e trishtë për shumë amerikanë

Më: 26 mars 2020 Në ora: 23:50
Foto ilustrim

Një numër gjithnjë në rritje amerikanësh po humbasin papritur vendet e punës si pasojë e koronavirusit që po mbyll industri, biznese e shkolla. Ekonomistët thonë se vendi është tashmë në recesion dhe sipas disa vlerësimeve papunësia mund të rritet deri në 20 për qind.

Rachelle Yarnell është pronare e një salloni bukurie në Garetsvill të Ohajos. Ajo thotë se autoritetet i kërkuan këtë javë të mbyllë biznesin në mënyrë që të ndihmojë për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.

“Kur nuk e ke idenë se sa do të zgjasë e gjithë kjo situatë si mund ta parashikosh se do t’ia dalësh?! Mbrëmë qava, zakonisht jam e fortë, por e gjithë kjo është shumë e trishtë”, thotë ajo.

Zonja Yarnell thotë se do të ndihmojë të gjithë punonjësit e saj që të aplikojnë për të përfituar pagesën e papunësisë.

"Do të kryejmë të gjithë procesin, do japim të gjitha informacionet e të sigurohemi që ata të paguajnë faturat që kanë", thotë zonja Yarnell për stacionin televiziv Cleveland NEWS.

“Do ta bëj kërkësën, kam dy fëmijë në shtëpi. Duhet të kujdesem për ta, më duhet t'i ushqej që ta kalojmë këtë situatë. Nuk e di sa kohë do të duhet", thotë Nicole Runewicz menaxhere e sallonit.

Në Uiçita të Kansasit shoferi i autobusit të shkollës Mike Tuttle thotë për stacionin televiziv lokal “KAKE” se humbja e papritur e një pune ka pasoja të rënda.

"Është shqetësuese, të shkatërron emocionalisht. Të krijon një ndjenjë të keqe përbrenda", thotë ai.

Senatorja e shtetit të Kansasit, Oletha Faust-Goudeau thotë se të gjithë ata si Mike Tuttle mund të bëjnë kërkesë për të përfituar pagesën e papunësisë si dhe për përfitime të tjera për shkak të rrethanave të paparashikuara që shkaktoi koronavirusi.

"Ata mund të aplikojnë për të marrë pagesën e papunësisë dhe procedurat për këto lloj kërkesash do të përshpejtohen. Ata gjithashtu mund të marrin ndihmë nga Departamenti për Fëmijët e Familjet, në rast se kanë nevojë për ndihmë për të blerë ushqime", thotë ajo.

Tek shumica e njerëzve COVID-19 shkakton vetëm simptoma të lehta si ethe dhe kollë. Tek të tjerë, veçanërisht tek të moshuarit dhe ata që vuajnë nga probleme shëndetësore, virusi mund të shkaktojë probleme më të rënda, përfshirë pneumoninë. Shumica dërrmuese e njerëzve shërohen pasi preken nga koronavirusi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ata që sëmuren lehtë shërohen për rreth dy javë ndërsa atyre që sëmuren rëndë mund t’u duhen tre deri në gjashtë javë për t'u shëruar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat