Kritika të rënda ndaj Trumpit për përmasat e krizës nga Pelosi

Amerika

Kritika të rënda ndaj Trumpit për përmasat e krizës nga Pelosi

Më: 30 mars 2020 Në ora: 12:54
Presidenti amerikan Donald Trump

Fillimisht, Presidenti amerikan Trump u përpoq ta minimizojë rrezikun nga virusi Corona. Tani ai pranon se në SHBA duhet të priten të paktën 100,000 vdekje dhe shton "Kjo është një shifër e tmerrshme".

Shtetet e Bashkuara janë prej disa ditësh vendi me numrin më të madh të rasteve të konfirmuara me Corona. Këshilltari i Presidentit Donald Trump në luftën kundër virusit të Coronas, Anthony Fauci, pret një shifër të përgjithshme deri në 200.000 vdekje nga pandemia në Shtetet e Bashkuara.

Mjekja e grupit të punës për Coronavirus në Shtëpinë e Bardhë, Deborah Birx tha se parashikimet përfshijnë gjithashtu masa të kufizimit të pasojave, që bazohen në shifra nga 80.000 deri në 160.000 vdekje në SHBA, në parim nuk përjashtohen as 200.000 vdekje. "Në këtë model edhe më tej supozohet se ne do të vazhdojmë të bëjmë saktësisht atë që po bëjmë tani." "Ne shpresojmë se këto modele nuk janë plotësisht të sakta. Që ne të mund të bëjmë më shumë sesa thonë këto parashikime."

A do të përmirësohet situata pas Pashkëve?

Trumpi tha se pret që niveli i vdekjeve në SHBA do të arrijë kulmin deri për Pashkë - pra pas dy javësh. Pas kësaj, numri i vdekjeve të reja do të ulet, "shpresojmë shumë thelbësisht".

Presidenti gjithashtu shprehu shpresën që Shtetet e Bashkuara të jenë në rrugën e duhur për të dalë nga kriza Corona në fillim të qershorit. Me këtë ai korrigjoi parashikimin e tij të mëparshëm. Trumpi fillimisht kishte parashikuar një përmirësim të ndjeshëm të situatës për Pashkët.

Trumpi bëri më tej të ditur se politikat kundër pandemisë së qeverisë së tij do të zgjaten me 15 ditë, deri në 30 Prill. Udhëzimet u bëjnë thirrje qytetarëve amerikanë që të punojnë nga shtëpia sa herë që të jetë e mundur, të shmangin udhëtimet e panevojshme, të mos formojnë grupe prej më shumë se dhjetë personash dhe të qëndrojnë menjëherë në shtëpi nëse shfaqin simptoma të sëmundjes.

Image
Presidenti amerikan Donald Trump

Masat nuk janë detyruese

Sidoqoftë, këto udhëzime kanë vetëm natyrë rekomandimesh, nuk janë detyruese. Në mënyrë më energjike veprohet në nivelin e shteteve federale dhe të qarqeve në SHBA. Atje janë marrë tashmë një numër i madh masash të detyrueshme, nga mbyllja e bizneseve deri në paraburgime - për të kufizuar jetën publike.

Trumpi e ka bërë vazhdimisht të qartë padurimin e tij për këto kufizime, duke thënë se kështu pengohet masivisht aktiviteti ekonomik në Shtetet e Bashkuara. Tani, megjithatë, ai paralajmëroi: "Asgjë nuk do të ishte më keq sesa të shpallësh fitoren, përpara se të arrihej fitorja."

Kritika të rënda nga Pelosi

Kryetarja i Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e fajësoi Trumpin për përmasat e krizës. Presidenti e ka nënvleftësuar pandeminë për një kohë të gjatë, i tha udhëheqësja e opozitës së Demokratëve CNN-it. Kjo rezultoi "vdekjeprurëse".

Veçanërisht rëndë nga pandemia në SHBA është goditur shteti federal i New York-ut. Sipas guvernatorit Andrew Cuomo, atje kanë vdekur të paktën 965 vetë dhe të paktën 60,000 vetë janë infektuar me virusin që shkakton sëmundjen e mushkërive Covid-19. Në Central Park në qytetin e New York-ut tani është ngritur një spital fushor për kujdesin ndaj pacientëve me Corona./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat