Trump shpreson të rizgjidhet falë menaxhimit të koronavirusit

Amerika

Trump shpreson të rizgjidhet falë menaxhimit të koronavirusit

Më: 2 prill 2020 Në ora: 20:24
Presidenti amerikan Donald Trump

Ndërsa numri i të vdekurve nga koronavirusi në ShBA vazhdon të rritet, zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në nëntor të vitit 2020 shihen si referendum lidhur me menaxhimin që presidenti Donald Trump po i bën pandemisë COVID-19. Presidenti, edhe në këtë kohë krize kombëtare, nuk la mënjanë politikën. Fushata e tij mundohet të përfitojë nga imazhi që presidenti po krijon përmes konferencave të përditshme për ditë me radhë. Më gjerësisht na njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Shtëpia e Bardhë, Patsy Widakuswara.

Ndërsa pandemia po godet rëndë vendin, Presidenti Donald Trump po mundohet të krijojë imazhin e një udhëheqësi të fortë që ka nën kontroll këtë periudhë krize përmes konferencave të përditshme nga Shtëpia e Bardhë.

"Jemi në luftë me një virus vdekjeprurës. Suksesi në këtë luftë kërkon masat e plota të forcës, dashurisë dhe përkushtimit tonë të përgjithshëm", tha zoti Trump në konferencë.

Së fundmi, zoti Trump foli me mburrje për vlerësimet që po i bëhen konferencave të tij, gjë që ngjalli kritika se ai po e politizon pandeminë.

“Ne nuk duhet të na interesojnë vlerësimet e konferencave të presidentit. Ai duket më i interesuar për vlerësimet për të sesa për numrin e të vdekurve në vend", tha Sahnnon O'Brien nga Universiteti i Teksasit në Austin.

Konferencat për shtyp po zëvendësojnë tubimet me përkrahës, thonë analistët.

“Sigurisht zoti Trump po i shfrytëzon konferencat për rizgjedhjen e tij. Ai mendon se duke qenë i pranishëm në shtëpitë e amerikanëve çdo ditë, krijon ndikimin e bashkimit rreth flamurit duke e lënë atë në qendër të pandemisë. Dhe deri në një masë ka funksionuar", tha Larry Sabato nga Qendra për Politika e Uniuversitetit të Virxhinias.

Në konferenca shpesh përfshihen edhe të ftuar nderi nga kompani private që mbështesin përpjekjet e qeverisë federale për pandeminë, duke përfshirë dhe një prodhues jastekësh që do të prodhojë maska i cili mbështeti publikisht zotin Trump.

"Zoti na dha mirësi më 8 nëntor 2016, kur ndryshuam drejtimin që kishim", tha Mike Lindell nga kompania "MyPillow".

Historia dëshmon se udhëheqësve u rritet popullariteti në kohë krizash sepse shfaqin anën komanduese. Në rastin e zotit Trump, ai po merr vlerësimet më të larta të presidencës së tij. Një mundësi që do të shfrytëzohet nga fushata e tij, thonë analistët.

“Nëse do të ishte më i disiplinuar dhe të mbështetej në fakte në vend se të shpikë gjëra, shanset e tij për rizgjedhje do të ishin më të mëdha. Fitoren nuk do ta ketë të lehtë. Duhet të sigurojë përqindje më të lartë, që të sigurojë rizgjedhjen", tha Larry Sabato nga Qendra për Politika.

Fushata duhet të merret gjithashtu me reklamat negative që paraqesin reagimin e gabuar të presidentit në trajtimin e krizës.

Fushata po u kërkon stacioneve televizive të mos e transmetojnë reklamën nga komiteti i veprimeve politike që mbështet kandidatët demokratë për president.

Ndërkohë, presidenti Trump duket se do të vazhdojë konferencat e përditshme për koronavirusin duke krijuar kështu një forum të fuqishëm që ndihmon rizgjedhjen e tij./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat