Trump: Nuk ka moratorium ndihmash mjekësore për vendet e tjera

Amerika

Trump: Nuk ka moratorium ndihmash mjekësore për vendet e tjera

Më: 3 prill 2020 Në ora: 23:44
Presidenti amerikan Donald Trump

Ndërsa pranoi se dëshiron t’u japë përparësi nevojave të brendshme të vendit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mohoi vendosjen e një moratoriumi mbi dërgesat jashtë vendit të pajisjeve mbrojtëse personale, si maska dhe veshje mbrojtëse, për të ndihmuar vendet e tjera. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara sjell hollësitë.

Një ngarkesë e rëndësishme me doreza, veshje mbrojtëse dhe maska mbërriti në aeroportin JFK të Nju Jorkut, shteti amerikan i goditur më rëndë nga koronavirusi.

"Pse do ta ndaloja ndihmën për vendet e tjera? A nuk do të ishte kjo e tmerrshme", thotë zoti Trump.

Presidenti u pyet nëse Amerika i ka ndërprerë dërgesat e ndihmave me pajisje mjekësore, përmes USAID-it, për vendet e tjera.

"Jo. Do të respektojmë angazhimet tona dhe do të dërgojmë çfarë të mundemi. Por ne gjithashtu kemi nevoja të shumta për veten tonë, kështu që jemi shumë të përqendruar në këto nevoja derisa të kapërcejmë këtë situatë. Pra, padyshim, ne nuk do të bëjmë shumë dërgesa".

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga shume vende, përfshirë Korenë e Jugut, pajisje testimi dhe mjekësore.

Amerika ka marrë, përmes blerjeve ose donacioneve, furnizime nga disa vende.

“Kina na ka dërguar disa gjëra të mira. Rusia ka sjellë një dërgesë të madhe pajisjesh mjekësore me avion, që ishte një gjest i mirë", tha Presidenti Trump.

Punonjësit shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë nevoja të shumta për pajisje mjekësore, veçanërisht respiratorë dhe pajisje mbrojtëse personale.

“Institucionet tona po analizojnë gjendjen e furnizimit për t’u siguruar që do të ketë pajisje të mjaftueshme mbrojtëse për dy muajt e ardhshëm. Dhe ka paqartësi dhe ankth për këtë", thotë William Schaffner, specialist i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara përqëndrohen në nevojat e tyre të brendshme, disa analistë paralajmërojnë se vendi nuk mund të heqë dorë nga roli i tij udhëheqës në nivelin global gjatë kësaj pandemie, veçanërisht kur Kina dhe Rusia janë të etura për të mbushur ndonjë boshllëk.

"Mund të bëjmë shumë gjëra për të ndihmuar vendet në zhvillim tani. Ne mund t'i ndihmojmë vendet në zhvillim me fushatat për të informuar publikun mbi distancimin shoqëror, dhe fushatat për larjen e duarve. Ka mundësi të tjera si mbështetja e kompanive ose fabrikave të tekstilit në Afrikë për të prodhuar maska", thotë Daniel Runde, drejtor i Projektit për begatinë dhe zhvillimin, në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara premtuan ndihmë shtesë për vendet e tjera për të luftuar COVID-19, duke siguruar një ndihmë fillestare prej 274 milionë dollarësh për më shumë se 60 vende në rrezik.

Shtetet e Bashkuara japin fonde edhe për organizatat shumëpalëshe, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat