SHBA në krizë sociale nga pandemia, miliona të papunë aplikojnë për asistencë

Amerika

SHBA në krizë sociale nga pandemia, miliona të papunë aplikojnë për asistencë

Më: 7 prill 2020 Në ora: 13:32
Foto ilustrim

Aplikimi i masave kundër përhapjes së pandemisë ka rritur papunësinë në Amerikë teksa bizneset kanë pushuar aktivitetet. Miliona amerikanë po aplikojnë për ndihmë ekonomike. Trump përsërit se do të ketë dritë në fund të tunelit.

Miliona amerikanë të papunë janë në pritje të asistencës sociale prej paketës prej 2,1 trilionë dollarë që ka miratuar Kongresi.

Teksa masat e izolimit kundër pandemisë së koronavirusit po bëhen të papërballueshme për bizneset, parashikohet që norma e papunësisë në SHBA në muajin prill të arrijë në 10 për qind.

Çdo ish-punonjësi tani i është premtuar 600 deri 1,200 dollarë në javë për një afat deri 13-javor.

Qytetarët ankohen se autoritetet nuk po i përgjigjen dot fluksit të aplikimeve duke u vonuar asistencën, por edhe se hasin probleme me sistemin informatik.

"Formularët i plotëson në distancë, i printon por pastaj sistemi bllokohet dhe prandaj jemi në radhë këtu që ta shohim njëri-tjetrin përballë."

"Jam 62 vjeçe dhe nuk marr vesh nga kompjuterat. Printova kopjen që kërkohej, e postova dhe prisja përgjigjen, por tani aplikimi më doli i pavlefshëm," shprehen dy banore të shtetit jugor të Arkansasit.

90 për qind e amerikanëve po jetojnë në një lloj izolimi shtëpiak që prej përhapjes masive të sëmundjes infektive të Covid-19.

Deri tani në vend statistikat flasin për mbi 360 mijë të infektuar dhe mbi 10 mijë viktima, shumica prej tyre pjesëtarë të komunitetit afroamerikan.

"Kemi për të pasur një javë e vështirë, mbase pak më shumë se një javë. Por në fundin e tunelit na pret një dritë e fuqishme, shumë zhvillime nga ana e terapisë, dhe nga vaksinat, që gjithmonë marrin kohë pasi duhet të testohen," deklaroi të hënën presidenti, Donald Trump.

Disa nga vatrat e koronavirusit në Amerikë raportojnë për një trajektore rënëse të infeksioneve të reja dhe të shtrimeve në spital, dhe shpresohet se mund të jetë arritur kulmi i pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat