SHBA: Kongresi nuk arrin të miratojë paketën shtesë të ndihmës për koronavirusin

Amerika

SHBA: Kongresi nuk arrin të miratojë paketën shtesë të ndihmës për koronavirusin

Më: 10 prill 2020 Në ora: 06:16
Ilustrim

Senati amerikan nuk arriti të enjten të miratojë fonde shtesë për të ndihmuar punonjësit amerikanë në vështirësi që po përballen me ndikimin e koronavirusit. Votimi u bë më pak se dy javë pasi ligjvënësit amerikanë miratuan paketën më masive të ndihmës ekonomike në historinë e vendit.

Masa e propozuar nga senatorët republikanë do të siguronte 250 miliardë dollarë fonde për Programin për Mbrojtjen e Pagave (PPP), një program prej 350 miliardë dollarësh që është pjesë e legjislacionit për t’u mbrojtur nga pasojat e koronavirusit, të quajtur CARES.

Paketa prej 2.2 trilionë dollarësh e shpëtimit u hartua dhe miratua me shpejtësi nga Kongresi në fund të muajit të kaluar, ndërsa bizneset në gjithë vendin u përballën me pasojat ekonomike të koronavirusit.

Demokratët në Kongres, e bllokuan përpjekjen e fundit , duke argumentuar se kreu i republikanëve në senat Mitch McConnell nuk ishte konsultuar sa ç’duhej me ta lidhur me shtesën prej një çerek milionë dollarësh.

Republikanët nga ana e tyre, bllokuan përpjekjen e demokratëve për të rritur ndihmën për spitalet dhe qeveritë lokale që po përballen me pasojat e krizës.

Ligjvënësit do të kenë një mundësi tjetër të negociojnë për shtesën të hënën kur Senati të kthehet për një seancë të shkurtër. Deri atëherë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësueve, demokratja Nancy Pelosi tha se nuk ka plane të negociojë me republikanët dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin gjatë fundjavën e Pashkëve./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat