Ditare nga Covid-19: Izolimi kërcënon karrierat tona si gra

Amerika

Ditare nga Covid-19: Izolimi kërcënon karrierat tona si gra

Më: 10 prill 2020 Në ora: 06:21
Ilustrim

OKLAND, KALIFORNI - Gjatë javëve të fundit, si shumica e njerëzve, unë kam qenë e izoluar në shtëpi. Jam në Oakland të Kalifornisë, me burrin tim dhe vajzën tonë 4-vjeçare.

Duket si një detyrë e thjeshtë që synon të na mbajë të shëndetshëm dhe të sigurt, por ajo paraqet sfida të dukshme, duke përfshirë punën nga shtëpia ndërsa kujdesem për vajzën time. Por kjo sfidë flet për një problem më të thellë e që lidhet me rolin që pritet të luajnë gratë.

Në shumë raste gjatë këtij izolimi në shtëpi, më kanë ardhur në mend skena nga seriali televiziv “The Handmaid’s Tale.”

Seriali, bazuar në një libër të Margaret Atwood, grave u kërkohet të lënë punën e tyre dhe të kthehen në shtëpi. Pastaj ato detyrohen të bëjnë role nënvleftësuese - kujdestare, nëna, shërbyese dhe kuzhiniere.

Në fillim isha e hutuar përse ndërgjegjja ime po e bënte këtë lidhje, por ndërsa bisedoja me shoqe të tjera - të gjitha të zhytura në role të zgjeruara të amësisë - fillova të kuptoj se sa e vështirë është kjo situatë e re për shumë gra.

Kujdesi është punë për gra

Ekziston një frikë themelore që tashmë është një realitet për shumë njerëz: Ndërsa shpaloset kjo krizë, gratë duket se janë ato që pritet të heqin dorë nga çdo ambicie dhe ëndrra personale për t'u kujdesur gjithë kohën për të dashurit, edhe nëse të dy partnerët kanë karrierë.

Pallavi Somusetty është një regjisore me dy fëmijë të vegjël. Ajo vuan nga astma dhe po tregohet shumë e kujdesshme për çdo kontakt me botën e jashtme. Meqenëse çdo punë e planifikuar më parë është anuluar, ajo është një nënë e papunë që kujdeset për fëmijët për momentin. Ajo gjithashtu bën të gjitha gatimet dhe pastrimet dhe u çon ushqime prindërve të saj të moshuar.

"Unë i dua aq shumë," thotë ajo për fëmijët e saj. "Thjesht do të dëshiroja që gjërat të ishin të ndryshme dhe të ndjeja pjesët e tjera të jetës sime që më përmbushin mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. Nuk mund t'iu qasem atyre tani. Kështu që jam pikëlluar vetëm për këtë. "

"Dua të jem atje duke filmuar dhe i kam këto kufizime tani," thotë Somusetty. "Kështu që tani jam vetëm nënë. Kam një lloj pikëllimi për këtë. "

Disa ditë në javën e parë të telepunës dhe kujdesit në shtëpi, shefja ime, një nënë vetë por me fëmijët më të rritur, më pyeti se si do të përballoja të kujdesesha për një fëmijë parashkollor dhe të bëja punën time.

Ishte një pyetje me vend që e dija se bëhej nga shqetësimi, por nuk e kisha idenë. Mbaj mend që thashë nëpër gjojë se se do t'ja dal.

Stresi pasoi.

Burri im, gjithashtu duke punuar nga shtëpia, nuk ka patur ndonjë pyetje në lidhje me kujdesin e fëmijëve nga punëdhënësi i tij.

E vërteta, natyrisht, është se ka qenë sfiduese të realizosh afatet, ndërsa përpiqemi ta mbajmë edhe vajzën time të zënë dhe të angazhuar - një sfidë që do të vazhdojë për sa kohë që shkollat janë të mbyllura. Të ngushëllon fakti që kaq shumë njerëz janë në të njëjtën pozitë, dhe punëdhënësja ime ka dërguar disa mesazhe në mbështetje të prindërve që punojnë.

Përpjekja për t'i bërë gjërat të funksionojnë

Sidoqoftë, unë automatikisht bëra një skemë, siç gratë bëjnë gjithmonë, për të gjetur një zgjidhje. Për fat të mirë, me punën time si gazetare për Zërin e Amerikës, me seli në Uashington, D.C., ishte e lehtë të zhvendosja ditën time të punës, duke filluar në orën 5:30 të mëngjesit në Los Anxheles. Në fakt jam më shumë "në kontakt" me kolegët e mi në Bregun Lindor.

Kështu që, çdo ditë, zgjohem, futem në sistem dhe filloj punën. Kur vajza ime ngrihet rreth orës 8:30 të mëngjesit, burri im mund ti japë mëngjes ndërsa unë vazhdoj të punoj.

Por pas mëngjesit, burri im zakonisht është në dhomën e gjumit, duke punuar vetëm, ndërsa shoqja ime e vogël e tavolinës është pranë meje, duke parë qetësisht Peppa Pig ose emisione të tjera në YouTube (ndihem gjithmonë fajëtore si nënë që e kam lënë para ekranit). Shumica e nevojave të vogla dhe të urisë realizohen nga unë, përveçse kur kam afat për të dorëzuar diçka ose kam një telefonatë, kur i thërras bashkëshortit tim të ndihmojë.

Si gra, duket se ne na kërkohet të zgjidhim gjërat në lidhje me fëmijët.

Unë e di se situata ime duhet të më bëjë të ndihem me fat në krahasim me ato të shumë të tjerave. Më ze trishtimi kur mendojë për gratë dhe fëmijët që strehohen në shtëpi në situata të abuzimit në familje, për të cilët puna dhe shkolla ishin një strehë. Dhe lajmet që vijnë nga Nju Orlins dhe Nju Jorku, ku kam jetuar për disa vjet, janë të paimagjinueshme.

Në Facebook ka filluar të marrë postime në lidhje me miqtë e miqve që kanë vdekur. Dhe zyrtarët thonë se, më e keqja nuk ka ardhur ende.

Përparim?

Unë e kuptoj se burrat janë gjithashtu nën presion tani, natyrisht, dhe shumë mund të jenë kujdestarë, por përgjegjësia ka tendencë të bjerë më shumë mbi gratë, në mbarë botën dhe për gjatë gjithë historisë. Vetëm këtë javë në Malajzi, vendi me shpërthimin më të madh të COVID-19 në Azinë Juglindore, Ministria për Gratë, Familjen dhe Zhvillimin e Komunitetit postoi një fushatë në mediat sociale duke u bërë thirrje grave që të mos bezdisnin burrat e tyre gjatë izolimit, të bëjnë grim dhe të vishen në shtëpi. Postimet shkaktuan tallje në internet dhe u hoqën më vonë. Uff.

Por, i kujtoj vetes, a kemi bërë përparim, apo jo? Kjo është e gjitha një kthim i vogël prapa, apo jo?

Mundohem të kujtoj se kjo është thjesht e përkohshme, dhe se ne të gjithë jemi në shtëpi për të shpëtuar jetë. Dhe megjithëse kufijtë janë duke u mbyllur në jetën reale, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ato shpresojmë se së shpejti do të rihapen, ndryshe nga ç'ndodh në filmin "The Handmaid's Tale ".

Dhe me rihapjen e tyre, shpresoj që ëndrrat, ambiciet dhe puna që shumë gra kanë ndërprerë me javë të tëra, ndoshta muaj, për t'u kujdesur për të dashurit do të vijnë përsëri ... me një egërsi të shtuar./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat