Guvernatori i Nju Jorkut i kundërvihet Presidentit Trump - Bota Sot
Guvernatori i Nju Jorkut i kundërvihet Presidentit Trump

Amerika

Guvernatori i Nju Jorkut i kundërvihet Presidentit Trump

Më: 18 prill 2020 Në ora: 06:48
Guvernatori i Nju Jorkut

Guvernatori i Nju Jorkut iu kundërvu të premten kritikave të Presidentit Trump se shteti i Nju Jorkut kishte kërkuar ndihma të tepruara nga qeveria federale për të luftuar koronavirusin. Gjatë konferencës së përditshme për shtyp, një gazetar e pyeti Guvernatorin Andrew Cuomo se çfarë përgjigje kishte për komentet që presidenti postoi në Twitter ndërkohë që vazhdonte konferenca për shtyp.

Në një nga komentet, presidenti thoshte se guvernatori duhet të shpenzonte më shumë kohë “me vepra” dhe më pak kohë “me ankesa”. “Ne ndërtuam për shtetin tuaj kapacitet spitalor për mijëra shtretër, për të cilat nuk kishit nevojë e nuk i përdorët,” shkruante presidenti. Zoti Trump thoshte më tej se Nju Jorku kishte marrë numrin më të madh të ventilatorëve dhe se ai mendonte që ky shtet duhet të kishte pasur rezervat e veta.

Në një tjetër koment, Presidenti Trump shkruante: “I kemi dhënë Nju Jorkut më shumë fonde, ndihmë dhe pajisje se çdo shteti tjetër” duke u ankuar se guvernatori “kurrë nuk kishte thënë ‘faleminderit’.” Nju Jorku është shteti i goditur më rëndë nga epidemia në Shtetet e Bashkuara. Të premten, në Nju Jork ishin konfirmuar mbi 223 mijë raste dhe më shumë se 17 mijë të vdekur. Pritet që shifrat e viktimave të rriten, pasi ka një numër banorësh që kanë vdekur në banesa dhe mendohet se mund të kenë qenë pacientë me COVID-19.

“Pikësëpari, nëse është në shtëpi e po e shikon konferencën në televizor, ndoshta bën mirë të ngrihet e të shkojë të punojë,” u kundërpërgjigj zoti Cuomo. Guvernatori shtoi se e kishte falenderuar disa herë presidentin për ndihmën federale, përfshirë spitalin fushor me 2500 shtretër në një qendër konferencash dhe për dërgimin e anijes spitalore të marinës Comfort në portin e qytetit të Nju Jorkut, ku ndodhen më shumë se gjysma e të sëmurëve me COVID-19 në këtë shtet.

“Nuk e di çfarë duhet të bëj, t’i çoj një buqetë me lule?” tha guvernatori. Guvernatori Cuomo theksoi se Nju Jorku i kishte bazuar kërkesat për kapacitet spitalor dhe aparatura mjekësore tek parashikimet e qeverisë federale, në veçanti të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe të Grupit të Punës së Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit.

Në mars, këto dy struktura parashikuan nga 160 milionë deri në 214 milionë të infektuar me koronavirus nëse nuk viheshin në zbatim masa të distancimit fizik. “Kërkesat tona dolën nga parashikimet që ai nxori,” tha Governatori Cuomo duke folur për presidentin. “Ai duhet t’i kthehet e të lexojë raportet që ka nxjerrë”.

Guvernatori i Nju Jorkut tha se nëse presidenti nuk është i kënaqur me parashikimet që ka bërë, le të shkarkojë kreun e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe grupin e punës kundër koronavirusit, si dhe këshilltarin e tij, Peter Navarro. Pak ditë më parë, zoti Cuomo tha se nuk kishte dëshirë të zihej me presidentin, kur zoti Trump tha se ai gëzonte autoritetin për të vendosur kur do të hiqeshin masat kufizuese mbi ekonominë.

“Nuk do t’i kundërvihem presidentit,” tha zoti Cuomo. Por të premten u duk se guvernatori i Nju Jorkut kishte ndryshuar mendje, duke u hedhur në kritika që vazhduan për thuajse 30 minuta.

Presidenti ndryshoi tonin duke iu përmbajtur kompentencave kushtetuese dhe tha se vendimin për rihapjen e ekonomisë duhet ta marrin guvernatorët. Zoti Cuomo tha se nëse nuk ofron fonde dhe nuk i mbështet me analiza në shkallë të gjerë për të diagnostikuar infeksionin, presidenti “nuk po bën asgjë”.

“E vetmja gjë që po bën, është që ka dalë në krye të paradës,” tha zoti Cuomo. Presidenti komentoi gjithashtu përmes Twitter se shtetet duhet të shtojnë ritmet e testimit. Guvernatori Cuomo ka thënë disa herë se shtetet nuk kanë kapacitetet të kryejnë analiza në masë. Vetëm shteti i Nju Jorkut ka një popullatë prej 19.5 milionë banorësh.

“Ai thotë se nuk do t’u ofrojë fonde shteteve dhe nuk do t’i ndihmojë për të kryer analizat. Mund t’ju them se shtetet nuk kanë mënyrë tjetër për ta realizuar këtë. Dhe nëse nuk ecën testimi, do të kemi probleme serioze,” tha Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat