Senati fillon shqyrtimin e kandidatit për drejtor të agjencisë që mbikëqyr VOA

Amerika

Senati fillon shqyrtimin e kandidatit për drejtor të agjencisë që mbikëqyr VOA

Më: 21 maj 2020 Në ora: 17:52
Senati

Një komision i Senatit të ejten filloi të marrë në shqyrtim kandidatin e Presidentit Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Amerikane të Medias Globale, e cila mbikëqyr edhe Zërin e Amerikës mes subjekteve të tjera. Seanca, e cila është duke u zhvilluar në këto momente, po transmetohet vetëm përmes zërit, jo me pamje filmike.

Emri i regjisorit të filmave dokumentarë, Michael Pack ka qenë në Senat për gati dy vjet, dhe është vonuar pjesërisht për shkak të shqetësimeve të demokratëve për marrëveshje të jashtëligjshme financiare të supozuara në bizneset e tij.

Javën e kaluar, votimi në komision u shty përsëri pasi zyra e prokurorit të përgjithshëm të Uashington DC hapi një hetim nëse përdorimi i fondeve të kompanisë së tij Pack Public Media Lab nga zoti Pack, ishte i paligjshëm dhe nëse ai i përdori ato fonde në mënyrë të padrejtë për të përfituar vetë.

Senatori demokrat Bob Menendez, anëtar i lartë në komision, protestoi përmes një letre të hapur se republikanët po përgatiten të ecin përpara me votimin.

"Në vend që të bëni një hap prapa dhe të kërkoni një zgjidhje dypartiake, jeni duke planifikuar të vendosni zotin Pack për konfirmim përmes votimit në komision përkundër faktit se marrëdhëniet e tij të biznesit janë objektivi i një hetimi aktiv i forcave të rendit dhe përkundër refuzimit të tij të vazhdueshëm për të korrigjuar deklaratat e rreme që ka bërë në agjencinë e taksave”, shkruan Menendez dhe demokratë të tjerë në letrën drejtuar kryetarit të komisionit Jim Risch.

Image
Bob Menendez

Të mërkurën, në një letër të veçantë, demokratët e komisionit gjithashtu shprehen të shqetësuar se mbledhja e Senatit nuk do të lejohet të transmetohet drejpërdrejtë për shtypin dhe publikun amerikan.

Megjithatë, seanca e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë në këto momente po transmetohet vetëm me zë, pra pa video.

Zëri i Amerikës të mërkurën kërkoi komente për të dy letrat drejtuar zotit Risch.

Presidenti Trump emëroi zotin Pack për të udhëhequr USAGM gati dy vjet më parë dhe ka shprehur zhgënjim për vonesat, duke thënë se kjo është bërë për shkak të pengesave të demokratike. Presidenti më parë kërcënoi të pezullonte punimet e Kongresit në se nuk votohej kandidatura.

Shtëpia e Bardhë akuzoi demokratët për ngecjen e votimit javën e kaluar pas njoftimeve për hetimin e prokurorit të përgjithshëm të Uashingtonit, DC, duke shkruar "Presidenti qëndron në mbështetje të Michael Pack dhe është i zhgënjyer, por jo i habitur, që demokratët që nuk bëjnë asgjë, kanë vendosur edhe një herë të hedhin baltë politike mbi biografinë e pastër të një nëpunësi publik".avët e fundit, Presidenti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e raportimeve lidhur me Kinën gjatë krizës së koronavirusit. Javën e kaluar, kur u pyet për emërimin e zotit Pack, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës është drejtuar në një mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Ata janë e kundërta e Zërit të Amerikës".

Me një deklaratë të premten e kaluar, drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, mbrojti misionin dhe raportimin e agjensisë së lajmeve të financuar nga qeveria amerikane.

"Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme," tha ajo.

"Kjo është arsyeja përse më shumë se 80% e audiencës sonë prej 280 milion njerëzish në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende të botës thonë se e shohin punën tonë të besueshme," shtoi ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat