Një e katërta e njerëzve në SHBA jo të interesuar për vaksinën

Amerika

Një e katërta e njerëzve në SHBA jo të interesuar për vaksinën

Më: 21 maj 2020 Në ora: 17:54
Foto ilustrim

Një e katërta e amerikanëve janë pak ose aspak të interesuar për të bërë vaksinën e koronavirusit, zbulon një sondazh i kryer nga Reuters/Ipsos dhe i publikuar të enjten.

Disa nga të anketuarit shprehin shqetësimin se ritmi rekord me të cilin po zhvillohen vaksinat mund të rrezikojë sigurinë e tyre.

Ndërsa ekspertët e shëndetit thonë se një vaksinë për të parandaluar infeksionin është e nevojshme për të kthyer jetën në normalitet, sondazhi flet për një çështje që potencialisht ka të bëjë me besimin tek administrata Trump, i cila tashmë është vënë nën kritika për udhëzimet e saj shpesh kontradiktore lidhur me masat mbrojtëse ndaj pandemisë.

Rreth 36 për qind e të anketuarve thanë se do të ishin më pak të gatshëm ta bënin vaksinën nëse Presidenti Trump thotë se ajo është e sigurt, krahasuar me vetëm 14 për qind që u shprehën se do të ishin më të interesuar.

Shumica e të anketuarve e kryer me 4,428 të rritur në SHBA midis 13 dhe 19 majit, thanë se do të ndikoheshin shumë nga udhëzimet e Administratës së Ushqimit dhe e Barnave ose nga rezultatet e studimeve shkencore në shkallë të gjerë, nëse ato tregojnë se vaksina është e sigurt.

Më pak se dy të tretat e të anketuarve thanë se janë "shumë" ose "disi" të interesuar për vaksinën, një shifër që disa ekspertë të shëndetit prisnin të ishte më e lartë duke pasur parasysh ndërgjegjësimin për COVID-19n dhe më shumë se 92,000 vdekjet që lidhen me të në Shtetet e Bashkuara.

Katërmbëdhjetë përqind e të anketuarve thanë se ata nuk ishin aspak të interesuar për ta bërë vaksinën, 10 për qind se nuk ishin shumë të interesuar, ndërsa 11 të tjerë ishin të pasigurt.

Studimet për vaksinat janë duke u zhvilluar, por ekspertët vlerësojnë se të paktën 70 për qind e amerikanëve do të duhet të imunizohen përmes një vaksine ose një infektimi për të arritur atë që njihet si "imunitet turmës", kur ka njerëz të mjaftueshëm rezistentë ndaj një sëmundjeje infektive për të parandaluar përhapjen e saj.

Mes të anketuarve që shprehin pak ose aspak interes për një vaksinë, gati gjysma thanë se ishin të shqetësuar për shpejtësinë me të cilën po zhvillohen studimet. Më shumë se 40 për qind thanë se besojnë që vaksina është më e rrezikshme se vetë sëmundja.

Presidenti Trump është zotuar një vaksinë do të jetë gati deri në fund të vitit, megjithëse zakonisht duhen 10 ose më shumë vjet për ta zhvilluar dhe testuar për sigurinë dhe efektivitetin. Shumë ekspertë besojnë se një vaksinë e miratuar plotësisht nga qeveria nuk do të jetë gjerësisht në dispozicion, të paktën deri në mesin e vitit 2021.

Disa ekspertë kanë thënë se theksi i Shtëpisë së Bardhë tek shpejtësia mund t'i shqetësojë njerëzit se po sakrifikohet siguria për hir të shpejtësisë.

Për më tepër, gjatë periudhës së pandemisë në mediat sociale janë shtuar dezinformatat në lidhje me vaksinat, sipas studiuesve akademikë.

Sondazhi nënvizon se edhe polarizimi i thelluar i vendit ka ndikuar në mënyrën se si e shohin njerëzit pandeminë.

Gati një në pesë republikanë thonë se nuk kanë interes për një vaksinë, më shumë se dyfishi i demokratëve që thonë të njëjtën gjë.

Në të gjithë botën ekzistojnë më shumë se 100 vaksina kandidate për COVID-19, përfshirë disa që tashmë janë në prova klinike me njerëz./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat