Colicchio: Restorantet do të kenë nevojë për më shumë ndihmë

Amerika

Colicchio: Restorantet do të kenë nevojë për më shumë ndihmë

Më: 22 maj 2020 Në ora: 06:36
Tom Colicchio

Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë restorantet e qytetit të Nju Jorkut. Kuzhinieri i famshëm Tom Colicchio shpjegon sfidat me të cilat po ndeshet industria e restoranteve dhe çfarë mund të bëhet për ta shpëtuar atë.

Në qytetin e Nju Jorkut, restorantet janë të mbyllura për klientët, përveç shërbimit të tyre të dërgesave me porosi. Ky shërbim është një pjesë e vogël e biznesit që ata kanë zakonisht, por edhe kur operacionet të rifillojnë plotësisht, rimëkëmbja do të jetë e vështirë.

"Kur të rihapemi, do të duhet të respektojmë masat e distancimit fizik në biznesin tonë, që do të thotë se ne duhet të heqim gjysmën e tavolinave."

Kuzhinieri i famshëm Tom Colicchio bashkë-themeloi Koalicionin e Pavarur të Restoranteve për të lobuar në Kongres për financim afatgjatë të industrisë.

"Ne po kërkojmë nga qeveria një paketë ndihmash për stabilizimin e restoranteve, e cila jo vetëm që do të na mbante hapur përkohësisht, por do të na ndihmonte për tetë deri në 12 muajt e ardhshëm, sepse kjo është ajo që na duhet."

Zoti Colicchio thotë se pyetja më e rëndësishme nuk është se kur do të rihapen restorantet.

"Pyetja më e rëndësishme është se kur publiku do të ndjehet rehat për të shkuar në restorante, kur kamarierët dhe punonjësit e tjerë veshin maska dhe i gjithë vendi mban erën e dezinfektantëve."

Një propozim i këshillit të qytetit të Nju Jorku bën thirrje për zgjerimin e mbylljeve të rrugëve për të lejuar më shumë hapësirë për të ngrënë jashtë objekteve.

Kjo tashmë po ndodh, megjithëse jozyrtarisht. Moti i ngrohtë kohët e fundit u tregua shumë i vështirë për t'i rezistuar, pasi shumë njerëz shkelën urdhëzimet e distancimit fizik në pjesën lindore të qytetit, duke u mbledhur jashtë, aty ku ishte e mundur.

Por në një qytet me 27,000 restorante, nuk ka gjithmonë hapësira për të ngrënë jashtë objekteve të restoranteve.

Ndërkohë, nevojat për ushqim dhe niveli i papunësisë vazhdojnë të rriten. Zoti Colicchio mendon se ai ka një zgjidhje.

“Nëse doni ta ruani zinxhirin e furnizimit, të mbani punëtorët në punë, të eliminoni radhët e gjata të njerëzve në qendrat e ushqimit falas, financoni restorantet në mënyrë që ato të bëhen qendra të ushqimit për komunitetet."

Zoti Colicchio thotë se shpërndarja e punës nëpër restorantet e qytetit mban më shumë prej tyre hapur, ndërsa ato ndihmojnë përpjekjet e qendrave lokale ushqimore.

Por, para se të ndodhë kjo, shëndeti dhe siguria e punëtorëve dhe klientëve është jetike.

"Frika ime më e madhe është se shumë restorante mund të mbeten pa para dy muaj pas rihapjes dhe rifillimit të punës, të gjithë përsëri aplikojnë për përfitimet e papunësisë dhe restorantet mbyllen."

Një rimëkëmbje ekonomike me më shumë pyetje sesa përgjigje./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat