Shtetet e Bashkuara ndalojnë udhëtimet nga Brazili

Amerika

Shtetet e Bashkuara ndalojnë udhëtimet nga Brazili

Më: 25 maj 2020 Në ora: 10:58
Foto ilustrim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë vendim që t’i ndalojë udhëtimet nga Brazili për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit në këtë shtet.

Qytetarët e huaj që kanë qenë në Brazil në periudhën 14-ditore para se të kërkojnë leje nuk do të mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, bëri të ditur sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany. Sidoqoftë, tregtia nuk do të preket nga kjo masë.

“Veprimi i sotëm do të ndihmojë që të sigurohemi se të huajt që kanë qenë në Brazil të mos bëhen burim i infektimeve shtesë në vendin tonë”, tha ajo përmes një deklarate.

Me më shumë se 360,000 raste, Brazili tashmë ndodhet në vendin e dytë në botë me më së shumti të infektuar, pas Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, ky shtet i ka regjistruar mbi 22 mijë të vdekur, shkruan “France24”.

Ndryshe, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, vlerësohet si aleat politik i homologut amerikan, Donald Trump, dhe ka qëndrim të ngjashëm me të për koronavirusin, duke e përshkruar atë si një “grip të vogël” dhe duke thënë se masat e izolimit po e dëmtojnë pa nevojë ekonominë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat