Kalifornia lëshon udhëzime për rihapjen e objekteve fetare

Amerika

Kalifornia lëshon udhëzime për rihapjen e objekteve fetare

Më: 26 maj 2020 Në ora: 20:28
Ilustrim

Shërbimet fetare në Kaliforni do të duken shumë më ndryshe sipas rregullores së re e cila u bë publike të hënën e që kufizon pjesëmarrjen e besimtarëve në jo më shumë se 100 persona gjatë shërbesave fetare. Besimtarëve u rekomandohet të vendosin maska, të kufizojnë të kënduarit si dhe të mos shtrëngojnë duart apo të përqafohen me njëri-tjetrin.

Shteti i lëshoi udhëzime nën të cilat departamentet e shëndetit të qarqeve mund të miratojnë rihapjen e kishave, xhamive, sinagogave dhe objekteve të tjera të adhurimit. Ato kanë qenë të mbyllura që kur guvernatori Gavin Newsom lëshoi urdhërin për qëndrim në shtëpi në muajin mars, me synimin për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit. Nuk dihet ende se sa shpejt do të rifillojnë veprimtaritë brenda objekteve fetare. Ato lokalitete të cilat kanë pasur sukses me kontrollin e virusit ka të ngjarë të bëjnë përpara më shpejt. Të tjerat siç është Los Anxhelosi, i cili ka rreth 60 për qind të vdekjeve nga numri total prej rreth 3,800 gjithsej në Kaliforni, mund të zgjedhin ta vonojnë procesin.

Sipas udhëzimeve besimtarët duhet të vendosin maska, të shmangin ndarjen e librave që përdoren për lutje apo rrugicave për lutje. Duhet të shmangen gjithashtu grumbullimet e mëdha për raste festash, dasmash apo funerale, si dhe paralajmërohet që aktivitete të tilla si të kënduarit apo recitimi e zhbëjnë rëndësinë dhe përfitimin që sjell distancimi fizik.

Sipas udhëzimeve edhe me pse mund të ruhet distanca fizike, falja fizikisht brenda objektit fetar mbart një rrezik të lartë të transmetimit të virusit dhe shtimit të numrit të shtrimeve në spital e të vdekjeve, ndaj dhe u sugjerohet institucioneve fetare që të shkurtojnë kohën e shërbesave fetare.

Çdo qark do të duhet të miratojë rregulla për rifillimin e shërbesave fetare brenda juridiksionit të vet dhe më pas udhëzimet do të rishikohen nga zyrtarët shtetëror të shëndetit pas 21 ditësh. Udhëzimet përfshijnë kufizimin e tubimeve në 25 për qind të kapacitetit të ndërtesës ose 100 vetë. Në Los Angeles Rabini Shalom Rubanowitz tha se ai shpreson që besimtarët të mund të takohet për një nga festat e kësaj jave. Ai tha se po shihen mënyrat se si t'u kontrollet temperatura të gjithë besimtarëve si dhe të sigurohen vende për lutje vetëm të një personi. Disa drejtues kishash nuk janë shumë të etur për t'u rihapur. Amos Brown, pastor i Kishës së Tretë Baptiste në San Francisko drejtoi një protestë të hënën kundër rihapjes.

"Ne nuk do të ngutemi të kthehemi në kishë" tha ai gjatë një bisede me telefon, duke përmendur faktin se shumë udhëheqës të bashkësisë së tij fetare janë sëmurë apo kanë vdekur si pasojë e virusit. "Liria për ushtruar besimin fetar nuk është liri për të vrarë njerëz, apo për t'i dëmtuar ata. Kjo është çmenduri", tha ai.

Dioqeza Katolike Romake në qytetin Orange njoftoi javën e kaluar se po shkon drejt mbajtjes së meshave publike duke filluar nga 14 qershori, dhe do të nisë me një numër të kufizuar besimtarësh.

Fillimisht grupet korale do të ndalohen, nuk do të serviret ujë i shenjtë dhe famullitë nuk do të kryejnë rituale gjatë së cilës u duhet të prekin besimtarët.

"Ne e dimë se Zoti është me ne, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm e të sigurohemi që të mbrojmë njëri-tjetrin në këto kohë sfiduese", tha të premten peshkopi Kevin Vann./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat