Pandemia ndërlikon betejën për kontrollin e Senatit

Amerika

Pandemia ndërlikon betejën për kontrollin e Senatit

Më: 29 maj 2020 Në ora: 06:20
Ilustrim

Kur duhen më shumë se pesë muaj për të shkuar deri tek zgjedhjet e 2020-s e ndërsa shumë shtete po lehtësojnë masat kufizuese të lidhura me pandeminë, fati i garës për kontrollin e Senatit është ende herët të parashikohet. Të dhënat e disa sondazheve po japin një pasqyrë rreth zgjedhjeve në kohë pandemie, që do të duken shumë ndryshe e do të kenë pasoja shumë të mëdha tek qeverisja në Shtetet e Bashkuara. Një e treta e Senatit, i cili kontrollohet aktualisht nga republikanët, është gati për rizgjedhje në vitin 2020. Tani për tani, demokratët kanë 45 vende në Senat, së bashku me dy të pavarur që zakonisht votojnë krah demokratëve. Për të fituar një shumicë në nëntor, demokratëve u duhet të marrin kontrollin e tre deri në katër vendeve të tjera në Senat. Në rast të një rizgjedhje të Presidentit Donald Trump në vjeshtë, një Senat me shumicë demokrate mund të bëhej një pengesë e fortë për axhendën e tij gjatë mandatit të dytë. Elementi i panjohur në zgjedhjet e këtij viti është kursi i pandemisë. Analistët nuk mund të parashikojnë ndikimin e një rigjallërimi të mundshëm të virusit sikurse presin të ndodhë ekspertët e shëndetësisë, që mund t'i largonte amerikanët nga kutitë e votimit. Të dhënat sugjerojnë se pandemia ka ndikuar tashmë tek numri i atyre që janë regjistruar si votues, numër që para pandemisë kishte qenë në kursin e thyerjes së një rekordi të vendosur për zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Si paraqitet gara për Senatin në disa shtete?

Alabama

Ish-Prokurori i Përgjithshëm i cili u vendos në këtë detyrë nga Presidenti Trump, Jeff Sessions, e ka vendosur garën në Alabama në qendër të vëmendjes kombëtare. Gara e zotit Sessions me ish-trajnerin e futbollit Tommy Tuberville, i cili garon për republikanët, tërhoqi vëmendjen e zotit Trump javën e kaluar. Gjatë një postimi në twitter ai shkruante: “Jeff, ti e pate mundësinë dhe e dogje. U tërhoqe për shkak të konfliktit të mundshëm të interesit që ditën e parë (nuk më the kurrë se kishe një problem), dhe u zhduke… Nuk pate guxim dhe shkatërrove shumë jetë".

Heqja dorë e zotit Sessions nga hetimi i ndikimit të Rusisë në zgjedhjet amerikane të 2016-s, për shkak të konfliktit të mundshëm të interesit, gjatë kohës që ai ushtronte detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, zemëroi shumë aleatë të zotit Trump dhe mund të jetë një faktor përcaktues në emërimin e tij nga republikanët më 14 korrik për të garuar kundër Senatorit aktual demokrat Doug Jones në vjeshtë. Një sondazh i kryer prej datës 7 deri më 10 maj tregon se emri që po mbështet zoti Trump, Tommy Tuberville, kryeson ndaj zotit Sesionet 55 për qind me 31 për qind. Në garën e vjeshtës shanset janë që ky vend në Senat të fitohet sërish nga republikanët, sipas sondazheve që ka kryer “The Cook Political Report”, një grup i pavarur që bën analiza mbi zgjedhjet.

Arizona

Gara për një vend në Senat e Martha McSally-t po shkakton shqetësime në rritje për republikanët kohët e fundit sipas vlerësimeve të “Cook Political Report”. Sipas një sondazhi të muajit maj, zonja McSally po humbet terren ndaj sfiduesin të saj demokrat, ish-astronautit Mark Kelly. Ky i fundit gëzon 51 për qind të mbështetjes së votuesve të Arizonës krahasuar me 38 për qind që gëzon Martha McSally. Pozitat e saj i vështirëson fakti se zoti Kelly është kandidati për në Senat i financuar më mirë në të gjithë vendin, duke siguruar 51 milionë dollarë në fushatë nga 18 milionë dollarë që ka mbledhur zonja McSally. Problemet e zonjës McSally janë tregues i një problemi më të madh mes republikanëve në këtë shtet. Sondazhet nuk e tregojnë fort mirë Presidenti Trump në këtë shtet, të cilin ai e fitoi me gati katër për qind në vitin 2016. Sipas sondazheve të kryera në maj ish-Nënpresidenti Joe Biden kryeson ndaj zotit Trump, respektivisht 50 me 43 për qind.

Kolorado

Republikani Cory Gardner gjithashtu u përball me shifra zhgënjyese në sondazhet e majit për këtë shtet. Dy sondazhe të kryera në mes të prillit dhe në fillim të majit tregojnë sfiduesin demokrat, John Hickenlooper, në epërsi gati identike prej 17 dhe 18 për qind ndaj senatorit në detyrë.

Një nga sondazhet, ai i kryer nga "Western State Survey", i realizuar fillimisht nga studiuesit e universitetit të Montanës, tregon se vetëm 18 për qind e votuesve nuk e pranojnë mënyrën se si zoti Gardner e ka trajtuar çështjen e pandemisë. Ka sinjale se ai po e shmang veten nga reagimi republikan ndaj pandemisë. Në një postim në Tweeter javën e kaluar, zoti Gardner i bëri thirrje Senatit që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për një raund të dytë ndihme për të adresuar pasojat ekonomike të koronavirusit. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat Mitch McConnell ka bërë thirrje kundër rritjes së borxhit kombëtar, por zoti Gardner kërcënoi se i qëndron fort kësaj çështjeje. Por në fund u tërhoq pas negociatash me udhëheqësit republikanë.

Meini

Senatorja republikane Susan Collins ka gëzuar një reputacion si një nga ligjvënëset me qasje bashkëpunuese mes partive në Kongres, kryesisht për ligje të rëndësishme. Por pas votime të diskutueshme si ai për miratimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh në vitin 2018 dhe votimi i saj kundër thirrjes së dëshmitarëve në gjyqin në Senat, pjesë e një procesi për shkarkimin e Presidentit Trump, zonja Collins duket se po humbet terren ndaj sfidueses demokrate Sara Gideon. Në dy sondazhe të kryera në fund të dimrit që lamë pas, përpara se koronavirusi të godiste fuqishëm Shtetet e Bashkuara, zonja Gideon udhëhiqte ndaj zonjës Collins me katër për qind. Gara në shtetin e Meinit për një vend në Senat ka tërhequr vëmendje të madhe dhe donatorë të shumtë jashtë shtetit për fushatën e zonjës Gideon. Të dy vendet në Senat të këtij shtetit janë gati për rizgjedhje, shtet të cilin presidenti Trump humbi në 2016.

Karolina e Veriut

Senatori aktual republikan Thom Tillis, i cili e fitoi vendin e tij në Senat gjashtë vite më parë me vetëm një për qind më shumë, ka të ngjarë të përballet me një garë të ngushtë në një shtet ku demografia po zhvendoset drejt demokratëve. Në një sondazh të zhvilluar në fillim të majit, zoti Tillis renditej pothuaj kokë më kokë me sfiduesin e tij demokrat, Cal Cunningham. Një veteran i luftës në Irak dhe Afganistan, zoti Cunningham po zhvillon një fushatë të financuar mirë duke akuzuar zotin Tillis se mban anën e interesave të Uashingtonit e koorporatave. Deri më tani zoti Tillis ka mbështetur guvernatorin demokrat të shtetit, Rory Cooper, lidhur me masat kufizuese për shkak të koronavirusit. Ai u tha zgjedhësve në një takim në muajin prill se: “po shkojmë në drejtimin e duhur, por nuk e kemi mundur ende virusin. Gjëja e fundit që mund të bënim është të humbisnim vigjilencën”. Kjo mund t’i kushtonte politikisht zotit Tillis në një shtet të përfshirë nga protestat për disa javë nga grupeve të armatosura të milicisë që kërkojnë rihapjen e ekonomisë. Sikurse të gjitha përballjet në funksion të zgjedhjeve të vjeshtës edhe ajo mes zoti Tillis dhe zoti Cunningham është zhvendosur tërësisht në internet për shkak të koronavirusit, duke krijuar edhe më shumë pasiguri në një vit zgjedhor me shumë të panjohura./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat