SHBA: Protestat, kryesisht paqësore

Amerika

SHBA: Protestat, kryesisht paqësore

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 06:37
Washington

Të martën në mbrëmje, protestat në qytete të ndryshme të vendit ishin kryesisht paqësore ndërsa protestuesit u mblodhëm sërish për të shprehur zemërimin dhe zhgënjimin mbi vdekjen e George Floyd ndërsa ndodhej nën arrest. Protestuesit paqësorë i shpërfillën urdhrat e ndalim-qarkullimit në disa zona, përfshirë qytetin e Nju Jorkut, ku disa qindra njerëz qëndruan mbi e urën e Bruklinit për disa orë me radhë të bllokuar nga policia.

Në Atlanta, policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë prej qindra vetësh që vazhdonte të qëndronte në rrugë edhe pas fillimit të ndalim-qarkullimit në orën 9. Oficerët e policisë bënë ndalime të demonstruesve në të dy qytetet. Sipas agjencisë së lajmeve "Associated Press" gjatë javës së kaluar policia arrestoi të paktën 9,300 vetë në mbarë vendin.

Uashington DC

Me qindra njerëz qëndruan në sheshin “Lafayette” pranë “Shtëpisë së Bardhë” në Uashington DC edhe pse kishte hyrë në fuqi orari i ndalim-qarkullimit. Të martën situata paraqitej shumë më e qetë se një ditë më parë kur punonjësit e policisë zgjeruan rrezen e veprimit duke zbuar me forcë protestuesit kryesisht paqësorë, për t'i hapur rrugën Presidenti Donald Trump të shkonte përpara të kishës së Shën Gjonit. Protestuesit që u mblodhën në park të martën hodhën parulla si "Jetët e njerëzve me ngjyrë kanë vlerë", "Mos qëlloni" dhe "Kupa u mbush". Ata qëndronin përtej një rrjete prej metali që ishte vendosur për të forcuar sigurinë në zonë. Disa kilometra më tej, trupat e Gardës Kombëtare qëndronin të grupuar në shkallët e monumentit Lincoln, një pikë e njohur turistike në kryeqytet, ku në vitin 1963, ikona e të drejtave civile Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin e tij të famshëm "Unë kam një ëndërr".

Mijëra protestues dolën gjithashtu të martën në mbrëmje në Los Anxhelos, ku kryetari i bashkisë Eric Garcetti u gjunjëzua së bashku me oficerët e policisë, në atë që u pa si demonstrim solidariteti me protestuesit. Me mijëra vetë u mblodhën më vonë në rezidencën zyrtare të zotit Garcetti ku bënë thirrje për shkurtime masive të buxhetit të policisë si dhe për shkarkimin e shefit të policisë së qytetit. Protesta u zhvilluan gjithashtu në Majemi, Hjuston, Orlando, Nju Orlins, Siatël, Portland, Oregon Madison dhe Uiskonsin.

Demonstratat filluan më shumë se një javë më parë në Mineapolis, qyteti ku vdiq 46 vjeçari afrikano-amerikan George Floyd.

Akuza të reja lidhur me çështjen “Floyd”

Shteti i Minesotës bëri të ditur të martën se është ankuar zyrtarisht për shkelje të të drejtave civile kundër Departamentit të Policisë në Mineapolis si dhe ka nisur hetimet nëse departamenti "është përfshirë në praktika diskriminuese sistemike".

"Administrata ime do të përdorë çdo mjet në dispozicion për të detajuar gjenerata të tëra racizmi sistemik në Minesota. Kjo përpjekje është një prej shumë hapave për të rivendosur besimin tek ato komunitete që kanë qenë të padukshëm dhe që zëri i tyre nuk është dëgjuar për një kohë të gjatë", tha guvernatori Tim Walz.

Oficeri që ndaloi George Floyd, Derek Chauvin, u shkarkua nga detyra dhe është akuzuar për vrasje. Tre oficerët të tjerë që ishin bashkë me të në vendngjarje janë shkarkuar gjithashtu nga detyra.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se ndihej "zemërthyer" nga dhuna në rrugët e qytetit të Nju Jorkut.

Nju Jorku është një nga shumë qytetet ku protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por veçanërisht gjatë natës disa njerëz kanë thyer xhama, ndezur zjarre e kanë plaçkitur dyqane.

"Protestuesit duhet të dëgjohen, por ata duhet t'i shprehin shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe autoritetet duhet të tregojnë vetëpërmbajtje në përgjigjen e tyre ndaj demonstratave" tha zoti Guterres. “Racizmi është një gjë e neveritshme që të gjithë duhet ta refuzojmë. Udhëheqësit në të gjitha nivelet e shoqërisë duhet të investojnë për kohezion social në mënyrë që çdo grup të ndjehet i vlerësuar”, tha ai.

Të mërkurën Papa Françesku shprehu shqetësimin e tij për atë që ai e quajti "trazira shqetësuese" në Shtetet e Bashkuara.

"Nuk mund të tolerojmë apo të mbyllim sytë ndaj racizmit dhe përjashtimit social të çfarëdo forme duke pretenduar njëkohësisht se po mbrojmë shenjtërinë e çdo jete njerëzore", tha Papa. Ai u lut për George Floyd dhe "për të gjithë ata që kanë humbur jetën si rezultat i i racizmit".

Shumica e amerikanëve i mbështesin protestat

Një sondazh i agjencisë “Reuters” dhe kompanisë “Ipsos” publikuar të martën tregoi se 66 për qind e amerikanëve "i mbështesin njerëzit që kishin dalë në protesta", krahasuar me 27 për qind të cilët ishin kundër dhe 9 për qind të cilët ishin të pasigurt mbi qëndrimin e tyre.

I njëjti sondazh tregoi se 55 për qind e amerikanëve nuk e miratonin mënyrën se si presidenti Trump e ka trajtuar situatën, krahasuar me rreth një të tretën që ishin pro tij. Zoti Trump ka thënë se ai është një "aleat i të gjithë protestuesve paqësorë" ndërsa ka bërë postime të shumta në twitter lidhur me përdorimin e forcës për të garantuar paqen në qytete të ndryshme të vendit.

"Banorët e Nju Jorkut nuk po lejohet të shpalosin magjinë e tyre dhe me vrullin që e majta radikale e të tjerë po lejohen të marrin, atyre do t'u duhet ndihmë shtesë. Nju Jorkut është plotësisht jashtë kontrollit", shkruante zoti Trump në twitter të martën vonë në mbrëmje. "Duhet t'u vëmë fre trazirave dhe tani", shkruante më tej ai.

Më herët gjatë ditës, kundërshtari i tij për zgjedhjet e nëntorit ish-Nënpresidenti Joe Biden, kritikoi përgjigjen e zotit Trump ndaj situatës duke thënë "Nuk duhet nxitur frikë e përçarja".

"Vendi po qan për udhëheqësi", tha zoti Biden në Filadelfia.

"Një udhëheqje që mund të na bashkojë, që mund të njohë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë të komuniteteve që kanë pasur gjurin në grykë për një kohë të gjatë", tha ai.

Deklarata e ish-Presidentit Bush rreth protestave

Presidenti George W. Bush përmendi dhimbjen historike të komunitetit afrikano-amerikan, duke thënë në një deklaratë se: “afrikano-amerikanët kanë parë t'u shkelen në mënyrë të përsëritur të drejtat e tyre pa një përgjigje urgjente dhe adekuate nga institucionet amerikane". Zoti Bush tha se ai dhe gruaja e tij, Laura, janë "të pikëlluar nga mbytja brutale e George Floyd e të shqetësuar nga padrejtësia dhe frika që e shkatërron vendin tonë".

"Mbetet një dështim tronditës që shumë afrikano-amerikanë, veçanërisht të rinj, sulmohen e kërcënohen në vendin e tyre. Është tregues force kur protestuesit, të mbrojtur nga punonjës të përgjegjshëm të zbatimit të ligjit, marshojnë për një të ardhme më të mirë", thuhej në deklaratë.

Disa policë godasin gazetarët

Gazetarët përgjithësisht janë të përjashtuar nga urdhrat e ndalim qarkullimit të vendosura nga drejtuesit lokalë, por ditët e fundit ka pasur raste të shumta që policia ka trajtuar me agresivitet gazetarët, operatorët dhe fotografët.

“Associated Press” raportoi se oficerët e policisë në Nju Jork knaë përdorur fjalë fyese duke u kërkuar dy gazetarëve të kësaj agjencie të largohen nga një zonë ku po protestohej dhe më pas oficerët i shtynë gazetarët njërin prej tyre tek një makine policie.

Kryeministri Australian Scott Morrison ka bërë thirrje për një hetim pasi në protestën e ditës së hënë në sheshit “Lafayette” në Uashington DC policia ka goditur dy gazetarë australianë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat