Senati miraton kandidatin e Presidentit Trump për drejtor të agjencisë që mbikëqyr Zërin e Amerikës

Amerika

Senati miraton kandidatin e Presidentit Trump për drejtor të agjencisë që mbikëqyr Zërin e Amerikës

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 06:12
Michael Pack

Senati amerikan miratoi të enjten kandidatin e Presidentit Donald Trump për të drejtuar USAGM, agjensia federale që mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe entitetet e tjera ndërkombëtare të transmetimit.

Me një votim 53-38 në vija partiake, Senati i kontrolluar nga republikanët miratoi regjisorin konservator të dokumentarëve Michael Pack për të kryesuar USAGM për një mandat tre vjeçar. Emërtimi i zotit Pack ka qenë në shqyrtim për dy vjet, i lënë pezull pjesërisht për shkak të shqetësimeve të demokratëve në lidhje me pretendimet e përfitimeve të dyshuara financiare në bizneset e tij.

Përmes kompanisë së tij Manifold Productions, Inc., zoti Pack ka shkruar, drejtuar dhe realizuar dokumentarë të shumtë, shumë prej të cilave janë transmetuar në kanalin PBS. Ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Konservator Claremont dhe ka mbajtur poste në Institutin Kombëtar për Shkencat Humane dhe Korporatën për Transmetimin Publik. Ai ka punuar gjithashtu në projekte filmike me ish-këshilltarin strategjik të Presidentit Trump dhe bashkë-themeluesin e kompaninsë Breitbart News, Stephen Bannon.

Pack ka përvojë të mëparshme me agjencinë amerikane të transmetimeve, pasi kishte shërbyer si drejtor i WORLDNET, rrjetit global satelitor të Agjencisë Amerikane të Informacionit që u bë njësia televizive e Zërit të Amerikës.

"Ky njeri është i kualifikuar në mënyrë unike për të mbajtur këtë pozitë," tha të enjten Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, James Risch. "Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme - të gjithë duhet të shikojnë dokumentarin më të fundit që bëri për Gjykatën e Lartë- një punë e shkëlqyer. Ka pasur një betejë politike për të për më shumë se dy vjet dhe sot është momenti i së vërtetës."

Në seancën e tij për konfirmim shtatorin e kaluar, zoti Pack sqaroi shqetësimet se ai do të përpiqej të impononte një paragjykim politik për agjencitë USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës, e cila është e mandatuar me ligj, të jetë objektive dhe e ekuilibruar në raportimin e saj.

"E gjithë agjensia mbështetet në besimin se gazetarët janë të pavarur, se asnjë ndikim politik nuk u tregon atyre se si të raportojnë lajmet dhe çfarë të thonë. Pa këtë besim, mendoj se agjensia është minuar plotësisht," i tha Pack komisionit.

Me emërimin e zotit Pack në dukje i penguar në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Presidenti Trump muajin e kaluar shprehu zhgënjimin për vonesat, duke thënë se kjo po bëhej për shkak të pengesave të demokratëve. Presidenti më parë kërcënoi të detyronte Kongresin të shtynte punimet për të nxitur miratimin e kandidaturës së tij.

Megjithë njoftimet se marrëdhëniet e biznesit të zotit Pack ishin objekt i një hetimi nga Prokurori i Përgjithshëm i Qarkut të Kolumbia, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi kandidaturën e zotit Pack më 20 maj, me një votim sipas vijave partiake 12-10, dhe më pas e dërgoi atë në Senat për miratim përfundimtar.

Në atë kohë, Senatori Risch tha se komisioni ishte i përgatitur të mos e merrte në shqyrtim emërimin "nëse departamenti i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, apo Departamenti i Drejtësisë do të kërkonte një gjë të tillë. Kjo nuk ka ndodhur".

Demokratët thonë se emërimi vendos precedent të gabuar

Senatori Bob Menendez nga Nju Xhersi, anëtar i lartë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se votimi i fundit për emërimin e zotit Pack rrezikon rolin historik këshillues nga Senati për kandidatët e propozuar nga presidenca për nga mënyra se si u nxitua votimi, pa një pamje të plotë të marrëdhënieve të biznesit të zotit Pack.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm të qarkut të Kolumbias tha se ka hapur një hetim për të parë nëse Pack ka përdorur në mënyrë të paligjshme fonde nga organizata e tij jofitimprurëse, Public Media Lab.

"Unë e di që presidenti ka folur publikisht dhe privatisht për dëshirën e tij të madhe për të konfirmuar z. Pack, me çdo kusht," tha senatori Menendez të enjten. “Kundërshtimet që unë kam ngritur sot dhe kam ngritur prej muajsh nuk janë të natyrës politike ose partiake. Ato kanë të bëjnë me pyetjen më themelore dhe kritike - a është i aftë të shërbejë Michael Pack? A duhet të konfirmohet ai ndërsa është nën hetim dhe pasi ka qenë i pandershëm me Senatin dhe agjencinë e taksave IRS? "

Senatori Mendez detajoi pyetjet e demokratëve të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, duke pohuar se Pack kishte "keqinterpretuar marrëdhëniet mes organizatës së tij jofitimprurëse dhe kompanisë së tij fitimprurëse në agjencinë e taksave IRS.

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë shqetësimet e demokratëve, duke thënë se, "Presidenti qëndron në mbështetje të zotit Michael Pack dhe është i zhgënjyer, por jo i habitur, që demokratët që nuk bëjnë asgjë, kanë vendosur edhe një herë të hedhin baltë politike mbi përvojën e pastër të një nëpunësi publik."

Kompania e zotit Pack, Manifold Productions, Inc., mori miliona dollarë grante nga organizata e tij jofitimprurëse, tha Menendez. Megjithatë ai vazhdimisht ka deklaruar në IRS se nuk ka patur marrëdhënie mes të dyjave, kur në fakt ai drejtoi të dy entitetet. Menendez tha se zoti Pack ende nuk ka korrigjuar informatat e gabuara të dhëna në IRS dhe para Komisionit në lidhje me statusin e deklarimeve të tij tatimore.

Menendez tha se zoti Pack nuk i kishte ofruar komisionit dokumentet e kërkuara që detajonin marrëdhëniet mes organizatës jofitimprurëse dhe biznesit të tij, duke pretenduar se informacioni ishte sensitiv.

"Interesat e biznesit të tij janë aq të ndjeshme sa që senatorët e Shteteve të Bashkuara që shqyrtojnë informacionet më të ndjeshme të klasifikuara, nuk mund t'i shohin ato të zotit Pack," tha Menendez.

Zëri i Amerikës nuk mori përgjigje ndaj një kërkese për koment nga zëdhënësi i zotit Pack.

Qëndrimi editorial i Zërit të Amerikës

Javët e fundit, Presidenti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e lajmeve të Kinës gjatë krizës së koronavirusit. Kur u pyet për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Trump tha: “Zëri i Amerikës drejtohet në një mënyrë të tmerrshme. Ai nuk është Zëri i Amerikës. Është e kundërta e Zërit të Amerikës".

Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett mbrojti misionin dhe raportimin e agjencisë së lajmeve të financuar nga qeveria amerikane në një deklaratë muajin e kaluar.

"Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme," tha ajo.

"Kjo është arsyeja pse më shumë se 80% e audiencës sonë prej 280 milionë njerëzish në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende të botës e shohin punën tonë të besueshme," shtoi ajo.

Senatori Menendez tha në Senat përpara votimit përfundimtar të enjten se lidhja me audiencën e huaj varet nga mbrojtja e agjencisë nga ndërhyrjet politike.

"Njerëzit në mbarë botën i shohin produktet e të gjitha rrjeteve dhe përfituesve të granteve si burime të besueshme të lajmeve ashtu si ka nxjerr në pah kjo pandemi," tha ai.

"Është absolutisht kritike që çdo person në këtë pozicion të mbajë një mur të fortë ndarës mes punës së rrjeteve të tij dhe ndërhyrjeve politike, ndikimit nga Shtëpia e Bardhë apo ndonjë tjetër."

USAGM mbikëqyr pesë rrjete të transmetimit civil të SH.B.A.-së, të cilat përfshijnë Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë (RFE / RL), Zyrën e Transmetimit të Kubës (OCB), Radion Azia e Lirë (RFA), dhe stacionet në gjuhën arabe në televizion Alhurra dhe Radio Sava e Rrjeteve të Transmetimit të Lindjes së Mesme (MBN)./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat