Sfida e identifikimit të elementëve ekstremistë në protestat në SHBA

Amerika

Sfida e identifikimit të elementëve ekstremistë në protestat në SHBA

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 07:03
SHBA

Protestat mbarëkombëtare në nëntë ditët e kaluara për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd ndërsa ai ishte nën arrest në Mineapolis kanë tërhequr grupe të ndryshme të agjitatorëve të jashtëm.

Bëhet fjalë për grupe si anarkistët, antifashistët, ambientalistët radikalë, supremacistët e bardhë, militantët antiqeveritar dhe thjesht oportunistë të ndryshëm.

Të gjithë janë parë në numër të vogël dhe të madh në tubime masive në të gjithë vendin. Por identifikimi i përfshirjes së tyre të saktë në demonstrata, dhunë, djegie dhe plaçkitje është bërë një sfidë për zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe studiuesit.

Gjërat janë bërë më të paqarta pasi politikanët, zyrtarët dhe aktivistët kanë theksuar më shumë praninë e një grupi, duke anashkaluar të tjerët.

Ndërsa disa demokratë kanë fajësuar supremacistët e bardhë për shfrytëzimin e protestave, Presidenti Donald Trump ka fajësuar kryesisht ata që ai e cilëson anarkistë të së majtës radikale dhe lëvizjen militante antifashiste të njohur si antifa.

"Është ANTIFA dhe e majta Radikale", tha Presidenti Trump në një postim në Twitter, të shtunën përpara se të zotohej të nesërmen që të caktonte lëvizjen si një organizatë terroriste, megjithë pengesat ligjore për këtë.

Një çështje e komplikuar

Realiteti është më i ndërlikuar. Ndërsa anëtarë të antifa-s janë arrestuar në protesta në të gjithë vendin, historitë e dëshmitarëve okularë, postimet në mediat sociale, dokumentet e gjykatave, deklaratat zyrtare dhe hulumtimet nga hetuesit e pavarur sugjerojnë se elementë radikalë të të gjitha ngjyrave, dhe jo gjithmonë të lidhur me ndonjë grup, janë përpjekur të përfitojnë nga trazirat për avancuar synimet e tyre ideologjike.

"Unë mendoj se të gjitha grupet e urrejtjes nga të dyja anët, të majtë, të djathtë, ose të qendrës, çdo grup qëllimi i të cilit është nxitja e urrejtjes dhe përçarjeve të mëtejshme në komunitetet tona përpiqen t'i përdorin këto situata në avantazhin e tyre dhe për përkeqësimin e gjërave", tha ish Shefi i policisë së Bostonit, Daniel Linskey, i cili tani është drejtor menaxhues në Kroll, një firmë globale e konsulencës për rreziqet.

Brian Levin, drejtori i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në San Bernardino, tha se protestat kanë ngjallur më shumë debate në internet mes ekstremistëve sesa veprime në terren.

"Madje edhe këto veprime nuk janë gjithmonë të dhunshme dhe të lehta për t'u konfirmuar derisa të marrim të dhënat e arrestimit, të cilat janë duke filtruar," tha zoti Levin. "Le të shohim se si duken të dhënat e arrestimeve ndërsa departamentet e policisë në të gjithë vendin vazhdojnë hetimet."

Faji për dhunën

Duke marrë parasysh vëmendjen që po merr në media dhuna, organizatorët e protestës janë gjithnjë e më të shqetësuar se krimet e kryera në emër të tyre do të diskreditojnë lëvizjen e tyre. Për të parandaluar këtë, demonstruesit paqësorë janë parë në video të shpërndara në internet duke ndalur aktet e vandalizmit dhe shkatërrimit.

Në një fjalim emocional para protestuesve në Mineapolis të hënën, vëllai i afrikano-amerikanit George Floyd, Terrence Floyd, bëri thirrje që t'i jepej fund dhunës.

Një video virale e publikuar javën e kaluar tregonte oficerin e policisë në Mineapolis Derek Chauvin duke mbajtur gjurin në qafën e 46-vjeçarit George Floyd derisa Floyd nuk mund të merrte më frymë. Kjo video nxiti protestat dhe dhunën në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe jashtë tyre.

"Kjo nuk do ta rikthejë vëllain tim", tha Terrence Floyd.

Zyrtarët aktual dhe të mëparshëm të forcave të zbatimit të ligjit, që kanë respekt ndaj ankesave të protestuesve, janë po aq të shqetësuar se dhuna mund të minojë kauzën e tyre.

"Ekziston një zemërim i justifikueshëm dhe njerëz zëri i të cilëve duhet të dëgjohet, të cilët po prostojnë në mënyrë paqësore," tha zoti Linskey. "Fatkeqësisht, ka grupe që kanë vënë në shënjestër protestat dhe po përdorin turmat si mburojë njerëzore. Ata po përfshihen në veprimtari kriminale."

Nxitësit e dhunës

Në Boston këtë javë, rebelët e armatosur me mjete të forta organizuan "sulme plaçkitëse" për të vjedhur dyqane me produkte të shtrenjta, tha Linskey, duke iu referuar një bisede me zyrtarët e qytetit të Bostonit.

Nxitësit, tha ai, ishin "anarkistë" nga jashtë qytetit që shpesh shfaqen në protesta në Boston, tha ai.

"Unë gjithashtu mendoj se ata mund të kenë filluar procesin e plaçkitjes dhe të tjerët që shkuan atje me qëllime të mira panë mundësinë dhe vendosën të përfitojnë nga rasti," tha Linskey. "Ka njerëz që planifikojnë, mendojnë dhe përpiqen të shfrytëzojnë situatat tragjike për avantazhin dhe axhendën e tyre personale."

Ditët e fundit, zyrtarët lokalë të zbatimit të ligjit, gjetkë në vend, kanë pohuar se një pjesë e madhe e dhunës ishte e planifikuar dhe e organizuar.

Antifa

Në Teksas, një grup antifa në internet organizoi plaçkitjen e fundit të një dyqani të shitjeve me pakicë, të kompanisë Target në Austin, kryeqytetin e shtetit, tha Steve McCraw, drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Teksas.

"Protesta dhe plaçkitja e Target-it në Austin që u bë dhe u organizua nga një faqe interneti e antifas dhe natyrisht, mbikëqyrja që u sigurua përmes internetit duke identifikuar se ku ishin përqëndruar burimet e forcave të zbatimit të ligjit, u bë nga llogaritë e antifas," tha zoti McCraw në një konferencë për shtyp të martën.

Nuk ka shifra të besueshme për numrin e anëtarëve të antifas dhe shtrirja e pjesëmarrjes së saj në protestat e tanishme mbetet e paqartë. Sidoqoftë, anëtarët e antifa-s, të maskuar dhe të veshur me uniformat e tyre të zeza me mbishkrimin "bloc", janë parë në protesta në të gjithë vendin, nga qyteti i Siatëllit dhe Portlandit e deri në San Francisko dhe Dallas.

Grupet e së djathtës ekstreme

Megjithatë, grupet e ekstremit të djathtë nuk kanë munguar plotësisht nga protestat. Sidoqoftë, numri i tyre ka qenë relativisht i vogël dhe ato nuk janë përfshirë në ndonjë akt të madh dhune.

Midis ekstremistëve të krahut të djathtë, Boogaloo Boys, një komunitet në internet i militantëve antiqeveritar, ka patur praninë më të dukshme në protesta. Ndërsa pretendojnë solidaritet me protestuesit, ata janë filmuar duke bërë roje dhe patrullime jashtë bizneseve.

"Ata thjesht po operojnë bazuar në supozimin se afrikano-amerikanët po shkaktojnë trazirat," tha Howard Graves, analist në Qendrën Ligjore për Varfërinë Jugore.

Dhjetra anëtarë të grupit Oath Keepers, organizata më e madhe paramilitare në Shtetet e Bashkuara, janë paraqitur në protesta në Mineapolis, Dallas, Uashington, dhe qytetet të tjera, tha zoti Graves.

Grupi neo-konfederatist

Më pak të dukshme, megjithëse nuk kanë munguar plotësisht, kanë qenë anëtarët e Lidhjes së Jugut, një grup neo-konfederatist; Djelmoshat Krenarë (Proud Boys), një organizatë neo-fashiste dhe Groyper Army, një rrjet aktivistësh të ekstremit të djathtë.

Zoti Graves tha se ai nuk ka parë prova që grupet e krahut të djathtë të kenë drejtuar anëtarët e tyre të paraqiten në protesta.

Megjithë fokusin e qeverisë te grupi antifa, prokurorët federal thonë se ata mbeten po aq të shqetësuar edhe nga veprimet e grupeve të ekstremit të djathtë që përpiqen të shfrytëzojnë protestat.

Lëvizja Boogaloo

Të mërkurën, prokurorët federalë në Nevada ngritën akuza ndaj tre anëtarëve të dyshuar të lëvizjes Boogaloo për komplot për të shkaktuar shkatërrim gjatë protestave në Las Vegas dhe posedim të bombave molotov.

"Nxitësit e dhunës kanë marrë peng protestat paqësore në të gjithë vendin, përfshirë Nevadën, duke shfrytëzuar zemërimin real dhe të legjitim mbi vdekjen e zoti Floyd për axhendat e tyre radikale," tha prokurori Nichola Trutanich gjatë një njoftimit të ngritjes së akuzave./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat