SHBA akuzon “aktorë të huaj” për nxitje tensionesh në internet

Amerika

SHBA akuzon “aktorë të huaj” për nxitje tensionesh në internet

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 07:01
SHBA

Kundërshtarët e SHBA-së kanë filluar t’i përdorin si armë protestat që kanë rrokur disa pjesë të vendit me qëllimin për “të mbjellë përçarje e mosmarrëveshje”, thonë zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit të cilët nuk pranuan të japin detaje shtesë. Protestat për vrasjen e George Floyd, një afrikano-amerikan i cili vdiq ndërsa ishte ndaluar nga policia, kanë tërhequr vëmendjen e mbarë botës, duke marrë një mbulim të konsiderueshëm mediatik në Rusi, Kinë dhe Iran.

Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe FBI thonë se disa vende, por pa përmendur emra, po shkojnë një hap më tej, duke manipuluar në mënyrë aktive informacionin për ta përkeqësuar situatën në Shtetet e Bashkuara. “Besoj se kemi prova se disa prej hakerave dhe grupeve të huaja që janë të lidhura me qeveri të huaja po përqëndrohen tek kjo situatë e veçantë në të cilën ndodhet vendi ynë, duke u përpjekur ta përkeqësojmë atë në çdo mënyrë që munden”, tha Prokurori i Përgjithshëm William Barr të enjten gjatë një konference për shtyp në lidhje me protestat.

Më tej zoti Barr akuzoi aktorët e huaj se “po vënë në lojë të gjitha palët për të përkeqësuar dhunën”. Drejtori i FBI-së nuk pranoi të japë informacione shtesë, por paralajmëroi se kushdo që zhvillon fushata dezinformimi ose ushtron ndikim për të dëmtuar SHBA-në nuk do të shpëtojë i padëmtuar.

“Ata aktorë të huaj duhet ta dinë që ne po e shohim këtë situatë nga afër dhe jemi të përgatitur të veprojnë nëse do të jetë e nevojshme”, tha ai.
Por analistë të pavarur dhe ekspertë të kontaktuar nga “Zëri i Amerikës” kanë vënë në dyshim pretendimet e qeverisë, duke thënë se ndërsa nuk ishte e pamundur që disa grupe të lidhura me qeveri të tjera t’i kenë rafinuar taktikat e tyre duke kryer operacione të sofistikuara ndikimi, në internet kishte pak gjurmë ose fare mbi këtë çështje.

“Ne nuk kemi parë ndonjë provë të hapur për operacione të qëndrueshme, të fshehta në internet që synojnë aktivistët dhe protestat në Shtetet e Bashkuara”, tha për VOA-n Graham Brookie, drejtori i Laboratorit Kërkimor Mjeko-Ligjor në Këshillin e Atlantikut me qendër në Uashington. “Shumica e mesazheve qe ne po shohim nga Rusia, Kina, Irani, Venezuela e të tjera vende në lidhje me protestat aktuale në Shtetet e Bashkuara i drejtohet audiencës së atyre vendeve”,shton zoti Brookie, megjithëse ai paralajmëroi se në këtë pikë, mungesa e provave mbi operacione me qëllim ndikimi nuk ishte diçka tejet befasuese. “Në krahasim me redaksitë e lajmeve, zakonisht kërkon më shumë kohë për agjentët e huaj që kryejnë operacioneve ndikimi, që të përshtaten me ngjarje në zhvillim”, tha ai.

Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj kërkesës së “Zërit të Amerikës” për informacione shtesë dhe FBI nuk pranoi të komentojë. Studiues si ata të Laboratorit Kërkimor Mjeko-Ligjor thonë se duket se kundërshtarët e SHBA-së janë të kënaqur, për momentin, për t’i përqendruar përpjekjet e tyre në sigurimin që vdekja e zotit Floyd dhe protestat të jenë në faqet e mediave që mbështeten nga shteti dhe në mediat sociale, përjashtuar rastin e shfaqjes së prova të reja që dëshmojnë të kundërtën. Sipas një analize të “Aleancës për Garantimin e Demokracisë”, një. organizatë në Uashington që përpiqet të dokumentojë dhe ekspozojë “përpjekjet e vazhdueshme për të shkatërruar demokracinë”, hashtagu me emrin e GeorgeFloyd (#GeorgeFloyd) ishte lajmi kryesor në mesin e të gjitha llogaritë në mediat sociale të diplomacisë ruse dhe mediat e mbështetura nga shteti, prej së premtes deri të dielën në mbrëmje.

Hashtag GeorgeFloyd (#GeorgeFloyd) ishte gjithashtu hashtagu i tretë më popullor në mesin e llogarive diplomatike kineze dhe medias shtetërore.
“Ne e dimë që ata po përpiqen të shfrytëzojnë këtë mundësi për të bërë krahasime e të mbjellin mosmarrëveshje në SHBA”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus për “Zërin e Amerikës” të enjten, kur u pyet veçanërisht për përpjekjet e Kinës. “Ne e dimë se po ata po ripostojnë në Twitter sikur RT, një media e propagandës ruse. Dhe ne kemi folur rreth asaj se vënë re një konvergjencë mes Kinës, Rusisë dhe Iranit duke përhapur dezinformacionet e njëri-tjetrit në Twitter, Facebook dhe në internet në përgjithësi”, shtoi ajo.

Disa analistë paralajmërojnë se jo e gjithë kjo ka si synim domosdoshmërisht mbjelljen e përçarjeve brenda SHBA. Një pjesë e mbulimit mediatik dhe propagandës në lidhje me protestat, thonë ata, ka më shumë lidhje me politikën globale. “Ajo ka krijuar mundësi që kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara në të gjithë botën, Kina, Rusia, Koreja e Veriut, Irani të peshojnë një qasje ideologjike që u mundëson atyre të flasin mbi dobësitë e sistemit amerikan, rendit liberal demokratik”, i tha shërbimit korean të VOA-s Ken Gause, drejtori i Analitikës Kundërshtare në CNA, një qendër mendimi në Uashington.

Analistë të tjerë gjithashtu paralajmërojnë se pjesa më e madhe e asaj që kanë parë deri më tani nuk hyn në kategorinë e dezinformatave. “Disa prej tyre janë padyshim provokuese dhe e diskutueshme, por nuk janë çorientuese ose manipuluese” i tha Zërit të Amerikës, Bret Schafer i Aleancës për Garantimin e Demokracisë. Dezinformimi që kjo organizatë ka parë (ASD), përfshirë një seri imazhesh që kanë qarkulluar në Twitter këtë javë të cilat duket sikur shfaqin protestues tek i kërkojnë ndihmë Pekinit, nuk duket se janë pjesë e ndonjë përpjekjeje të koordinuar.

“Deri më tani, ne nuk kemi parë asnjë provë që këto foto të falsifikuara janë orkestruar ose amplifikuar nga aktorë shtetërorë”, tha zoti Schafer. Ekspertë e zyrtarë besojnë gjithashtu se pjesa më e madhe e dezinformatave në mediat sociale vijnë nga grupe dhe individë me qendër në SHBA./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat